Sami Lushtaku, që tashmë po e humb mandatin e kryetarit ende pa e marrë atë, për shkak se ndodhet në paraburgim, është duke u konsideruar si mundësi për të rikandiduar. Por, nëse kjo nuk lejohet, siç thuhet nga qendra, burime të afërta me Lushtakun, kanë thënë se kandidat i PDK-së po shihet djali i tij, Mërgimi. PDK-ja është mbledhur të martën, por kanë thënë se nuk kanë diskutuar për këtë çështje.
Oferta e PDK-së për kryetar të Skenderajt ka gjasa të mos dalë përtej familjes Lushtaku.
“Pas krijimit të rrethanave të reja dhe refuzimit nga gjykata për ta liruar Lushtakun 10 minuta për të dhënë betimin, konsiderojmë se duhet të kandidojë sërish për këtë post. Ka fituar mbi 88% të votave, është i pafajshëm dhe nuk ka pengesa për këtë”, ka thënë një burim nga Skenderaj, shkruan koha.
“Si mundësi tjetër jemi duke e konsideruar kandidatin Mërgim Lushtaku për kryetar”.
Skenderaj pritet të shkojë në zgjedhje, për shkak se Lushtaku nuk mund ta bëjë betimin. Ai është në paraburgim deri më 23 janar të vitit tjetër, derisa afat për ta dhënë betimin ka deri më 20 dhjetor.