Hisen Qazimi, prindi i dëshmorit të UÇPMB-së Ridvan Qazimit – “Komandant Lleshit”, në protestën e mbajtur sot në Tërnoc, i revoltuar me aksionin e fundit të Policisë së Serbisë i ka përcjellë disa porosi Beogradit.
“Mo nuk kanë të drejtë me hy ata nëpër fshat natën, me i trishtu gratë dhe fëmijët, nuk kanë të drejta”, tha Hisen Qazimi, në protestën e së premtes të mbajtur në qendrën e fshatit Tërnoc, Komuna e Bujanocit.
Ai mëtej theksoi se në rast të arrestimit të ndonjë qytetari, ate duhet ta bëjnë përmes institucioneve, duke u lajmëruar në Bashkësi Lokale dhe institucione tjera.
“Mo kurrë shpi me i hi dikujna nuk ka. Duhet me i thon stop kësaj. Mundem me thon bon çka të dush, por jo deri kur të dush. Nuk shkojnë këto punë mo kështu”, u shpreh Qazimi, i revoltuar me aksionet e policisë që në vendbanimet shqiptare të Luginës, sipas tij e kanë mbërri kulmin.
Plaku nga Tërnoci tha se edhe shqiptarët e këtij fshati do të mendohen se çka do të punojnë mbas ditës se sotme.
“I çoj selam Qeverisë prej këtu, në emër të 20 mijë banorëve shqiptarë, duhonin për menjëherë me e kthy edhe mo xhandarmëri, polici prej Vranjës kurr mo në fshat mos ti shohë”, tha prindi i Komandant Lleshit, raporton Titulli.
Ai shtoi se dëme nuk jemi duke i bë askujt dhe se kemi njerëzit tanë në institucione, mirëpo Beogradi nuk dëshiron që problemet të zgjidhen në mënyrë paqësore.
“Nuk po i bëjmë askujt zarar, i kemi institucionet dhe njerëzit që çaç dojn butë me punu, me Qeveri edhe me kejt, ata nuk dojn, spo na dojn edhe tungjatjeta. Me zor mos të më doje, nuk ka nevojë me më dasht ai se edhe unë nuk e du. Ai smë don, as unë nuk e du”, u shpreh Hisen Qazimi.
Sipas tij ndërhyrja natën në objekte familjare, dukë frikësuar gra dhe fëmijë, është e papranueshme dhe siç tha ai “marre për shtetin”.
Para masës së grumbulluar, për të protestuar kundër konfiskimit të duhanit të papërpunuar, u paraqitë kryetari i Bashkësisë Lokale në Tërnoc, Agim Haliti.
Ai tha se, natën e aksionit policor për konfiskimin e duhanit ishte prezent në familjet e dëmtuara shqiptare, mirëpo edhe përkundër kërkesës së tij që duhani të mos i merrej bashkëqytetarëve, policia e konfiskoi.
“Janë sjellë në mënyrë barbare, të vrazhdë. Kanë qenë 30 policë civil nga inspektorati i Vranjës dhe 30 policë që nuk e dinë se çka kanë asistuar. Po e shihni se ky pushtet nuk e ka ndërmend me u demokratizu, prapë kthehet me avazin e vjetër duke vepruar në mënyra të tilla”, u shpreh Agim Haliti.
Ai theksoi se natën e konfiskimit të “djersës së familjeve shqiptare” i ka thënë inspektorëve se jeni duke bërë plaçkitje.
Duke kërkuar nga inspektorët që qytetarët të lihen të lirë në veprimtarin e tyre, ai ka kërkuar nëse veprojnë duke konfiskuar duhanin, të njëjtën duhet ta bëjnë edhe tek serbët të cilët prodhojnë alkool, pasi të dy këto prodhime janë me akcizë.
“Sot protestojmë ashpër kundër këtyre akteve që janë të drejtuara kundër popullatës së kësaj ane”, tha Haliti, duke rikujtuar se i njëjti shtet më herët kërkoi drogë, të cilën nuk e gjeti.
“Drogë nuk munden të gjejnë se nuk është kultivuar droga këtu. Droga përpunohet në laboratore të qendrave të mëdha serbe dhe pa marrë parasysh qendrave tjera, por jo këtu në Tërnoc”, u shpreh mes tjerash Haliti.
Protesta e sotme u organizua nga Bashkësia Lokale në Tërnoc për të kundërshtuar aksionet e policisë së Serbisë, sidomos të fundit, kur në tre familje shqiptare, forca të shumta policore konfiskuan mbi dy tonë duhan të papërpunuar.
Policia, pas aksionet, përmes zëdhënësit në Vranjë kishte deklaruar se këto familje duhanin e kanë prodhuar pa leje paraprake dhe se ai ishte gati për shitje.
“Për shkak të dyshimit se kanë kryer vepër penale, duke u marrë me tregti të paligjshme, policia kundër personave, në pronën e të cilëve është gjetur duhani, do të ngre kallëzim penal”, kishte thënë zëdhënësi Dragan Stamenkoviq.
Nga ana tjetër, anëtarët e këtyre familjeve tërnocase, të cilëve iu morr duhani, thanë se kjo bimë industriale po mbahej në tavan të shtëpisë, nga ku edhe e kishte konfiskuar policia.
“Duhani nuk ishte i grirë por në fleta ashtu siç e kemi mbledhë, arsyeja pse na u morë ishte se nuk kisha kontratë me Duvanskën”, i tha Titullit njëri prej të prekurve nga ky aksion i policisë.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=5741