Azizi: Shumica e lëndëve të korrupsionit përfundojnë me aktgjykim lirues, prokuroria nuk po na bindë

Azizi: Shumica e lëndëve të korrupsionit përfundojnë me aktgjykim lirues, prokuroria nuk po na bindë

Shumica e lëndëve të korrupsionit po përfundojnë me aktgjykim lirues, dhe kjo sipas kreut të Gjykatës Themelore në Gjilan, po ndodh për shkak se nuk po arrihet të ofrohen prova bindëse nga ana e prokurorisë, transmeton 2LONLINE.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi, ka thënë se edhe në këtë tremujor të këtij viti rëndësi të posaçme i kanë kushtuar lëndëve të korrupsionit. Ai shtoi se janë trashëguar nga viti i kaluar 20 lëndë të kësaj natyre, ndërsa janë edhe pesë lëndë të reja të ardhur në këtë tremujore, pra gjithsej 25 lëndë, ndërsa, po në këtë periudhë tremujore, janë zgjidhur pesë raste të tilla.

Prej këtyre 5 lëndëve që janë kryer gjatë këtyre tre muajve, janë: 1 – Aktgjykim me burgim, 1 – Aktgjykim me gjobë, 2 – Aktgjykim me kusht dhe 1 – Aktgjykim lirues.

Duke folur për aktgjykimet nga këto lëndë të kësaj natyre, kreu i Gjykatës, Azizi ka pranuar se është shqetësuese përqindja e madhe e lëndëve të korrupsionit me aktgjykim lirues, por se sipas tij, Gjykata nuk është servis i askujt, është institucion i pavarur dhe vepron në bazë të provave dhe se në shumicën e rasteve nuk po ofrohen nga prokuroria prova bindëse.

Ai me këtë rast ka përmendur statistikat e vitit të kaluar ku,sipas tij, nga 40 raste të kësaj natyre, 23 kanë qenë me aktgjykim lirues. Ai tha e nuk dëshiron ta gjuaj topin në terren tjetër, por se gjykatës nuk po iu ofrohen prova të mjaftueshme, thjesht nuk po na bind prokuroria, tha ai, për të shtuar se aktakuzat sa për sy e faqe nuk kalojnë në gjykatë.

KOMENTE