Azemi reagon për mungesë uji dhe bllokim rrugësh, pyet kur përfundojnë punimet!
Sipas Ardian Azemit, në rrugën “Shaban dhe Sami Ukshini”,Gjilan, prej datës 25 shkurt, ka ndërprerje të ujit çdo ditë nga mëngjesi deri në mbrëmje. Deri më sot nuk ka asnjë sqarim se kur do të përfundojnë punimet për ndërrimin e gypave, edhe pse kjo është hera e dytë që reagon lidhur me këtë çështje.
“Jemi në muajin e Ramazanit. Ftojmë mysafirë për iftare, ndërsa për gati dy javë me radhë mbesim pa ujë gjatë gjithë ditës. Kjo është sinqerisht papërgjegjësi totale”, thotë ai.
Përveç kësaj, shton Azemi, edhe rrugët janë bllokuar prej kohësh dhe kjo pjesë e qytetit është shndërruar në një katrahurë të vërtetë. Qarkullimi është vështirësuar, banorët po përballen me kaos të përditshëm, ndërsa askush nuk jep një afat të qartë për përfundimin e punimeve.
“Pyes publikisht organet komunale: deri kur do të vazhdojmë të vuajmë kështu për ujë dhe bllokim rrugësh? Mos bëni hajgare me qytetarët. Sinqerisht, tepër është bërë”, thotë në reagimin e tij, Ardian Azemi. /2LONLINE/
