Avdyl Kastrati: Qëllimi i KAB-it 2027–2029 është planifikimi i qëndrueshëm financiar
Është mbajtur dëgjimi publik në kuadër të hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027–2029. Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, prezantoi dokumentin strategjik financiar që përcakton orientimin e zhvillimit ekonomik, social dhe infrastrukturor të komunës për tre vitet e ardhshme.
Sipas tij Korniza Afatmesme Buxhetore, nuk është vetëm një dokument financiar. Ajo paraqet vizionin e Komunës së Gjilanit, për zhvillim të qëndrueshëm, menaxhim të përgjegjshëm të financave publike dhe ofrim të shërbimeve cilësore për qytetarët.
“Gjatë periudhës 2027–2029, Komuna e Gjilanit, do të vazhdojë të investojë në projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, përmirësimin e infrastrukturës publike, avancimin e arsimit dhe shëndetësisë, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin ekonomik lokal dhe transformimin digjital të administratës komunale”, tha Avdyl Kastrati.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, theksoi se ky dokument është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, qarkoret buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe me prioritetet zhvillimore të Komunës së Gjilanit.
Ai pasqyroi edhe treguesit kryesorë: popullsia: 82,980 banorë, ekonomi familjare: 19,871, biznese aktive: 6,933, fshatra: 42, nxënës në arsimin parauniversitar: 15,199.
“Këta tregues dëshmojnë për nevojën e vazhdueshme të investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, mjedis dhe zhvillim ekonomik lokal”, tha Avdyl Kastrati.
Ai tregoi edhe për Kornizën Buxhetore 2026–2029, Buxheti i vitit 2026 është 41,928,924 €, ai i planifikuar i vitit 2027 43,586,882 €, i vitit 2028 44,949,608 € dhe buxheti i planifikuar i vitit 2029 është 47,311,757 €.
Nga ana tjetër pjesëmarrësit kanë paraqitur kërkesat e tyre për realizimin e projekteve në vendbanime të ndryshme, kryesisht në infrastrukturë, por edhe në fusha tjera. Kërkesat kishin të bënin me rrugë, kanalizim, ndriçim publik, ujësjellës, trajtimin e qenve endacak, transport publik, përkrahje të bizneseve, subvencionime të ndryshme dhe kërkesa të tjera të nevojshme për vendbanime të ndryshme të komunës. /2LONLINE/
