/2L ONLINE/ – Ndonëse kanë kaluar 16 vite që nga paslufta, në lagjen “Dheu i Bardhë”, rruga ““Avdullah Presheva”, ende ka shumë shtëpi të cilat janë të rrënuara plotësisht apo gjysmë të rrënuara të cilat janë shndërruar në deponi të mbeturinave nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm.
Këtë problematikë me të cilën po ballafaqohen qytetarët që jetojnë në këtë pjesë e ka shprehur edhe Shaban Hasani, banor i kësaj lagje i cili i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se këto shtëpi kanë qenë të romëve të kësaj lagje, por të cilët, shumica nuk jetojnë më aty, por gjendja aktuale është e rëndë dhe se edhe kalimi nëpër rrugën kryesore të kësaj lagje është bërë shumë i vështirë për shkak të kundërmimit shumë të keq prej mbeturinave dhe kafshët e ngordhura qe janë hedhur nëpër këto shtëpi të braktisura.
Hasani rikujton se qytetarët e kësaj lagje kishin bërë edhe një peticion në të kaluarën duke iu drejtuar ish pushtetit të asaj kohe, por pa dhënë rezultatin e duhur, ndërsa edhe tani kërkohet nga pushteti aktual të ndërmarr masa për të pastruar këtë pjesë të qytetit.
Gjendja vazhdon të jetë e nderë dhe se kjo rrugë me këtë pamje lirisht mund të thuhet se ofron një ekspozitë të tmerrit, që shumë rëndë është për ata që e shohin, e le më të paramendohet për ata që jetojnë në këtë pjesë të qytetit.
“Organet përgjegjëse të komunës duhet të reagojnë në mënyrë që të inicohet zgjidhja e këtij problemi njëherë e përgjithmonë në mënyrë që qytetarët e kësaj lagje të kenë mundësi të jetojnë një jetë më të mirë në këtë pjesë të qytetit si dhe sigurisht se me këtë rast do të mund të parandalohej edhe ndonjë epidemi apo sëmundje e rrezikshme që po ju kanoset banorëve të kësaj lagje”, ka thënë Shaban Hasani. /2L ONLINE/