Autostrada “Arbën Xhaferi”, vepër që i jep peizazh të mirë Kosovës dhe tërë rajonit

Autostrada “Arbën Xhaferi”, vepër që i jep peizazh të mirë Kosovës dhe tërë rajonit

“Para 20 vitesh, kjo rrugë e kishte domethënien e braktisjes së atdheut për të kërkuar shpëtim. Sot marrim frymë lirshëm dhe me guxim, shohim përtej fatkeqësisë në të ardhmen prosperuese”, kështu tha kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ceremonisë së hapjes së Autostradës “Arbën Xhaferi”.

Kryeministri Haradinaj tha se janë këtu bashkë, për t’iu gëzuar kësaj vepre moderne, që i jep një pamje të re jo vetëm peizazhit të Kosovës, por tërë rajonit, si një hapësirë, që është ndarë së bashku nëpër shekuj.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, tha se kanë hasur në sfida gjatë rrugëtimit, por nuk janë ndalë, sepse kanë pasur besim, jo vetëm në cilësinë e ekspertizën e operatorëve, por në të gjithë ata parametra të tjerë, që dëshmojnë se është njëra ndër veprat më të bukura të infrastrukturës në Ballkan.
“Janë paratë e taksapaguesve, të qytetarëve të Kosovës dhe ju garantojmë me përgjegjësinë më të madhe, se me respektin më të madh është bërë kujdes, që ky investim të jetë në përputhje me obligimet ligjore që kanë institucionet e vendit, në përputhje me qëllimin e këtij projekti, që sot ta kemi të përfunduar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova po ecë me guxim në infrastrukturë.

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Ramush Haradinaj:

I nderuar president i Republikës së Kosovës, Sh.T.Z. Hashim Thaçi
I nderuar Kryetar i Kuvendit Z. Kadri Veseli
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Z. Talat Xhaferi,
Të nderuar kolegë kryeministra nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nga Republika e Malit të Zi, Dushko Markoviq,
Të nderuar përfaqësues të Departamentit të Shtetit, Susan Falatko, ambasador Kosnett,
Të nderuar përfaqësues të konzosciumit Bechtel&Enka,
Ambasadorë të tjerë të respektuar, zëvendëskryeministra, ministra dhe të gjithë të pranishëm

Është privilegj i jashtëzakonshëm të jemi bashkë në hapjen e kësaj vepre madhore të popullit të Kosovës, e cila na ofron me njëri-tjetrin dhe na bashkon me Evropën.

Rajoni ynë ka nevojë për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, po aq sa ka nevojë Kosova për zhvillimin e rajonit.

Pra, jemi sot këtu bashkë, për t’iu gëzuar kësaj vepre moderne, që i jep një pamje të re jo vetëm peizazhit të Kosovës, por tërë rajonit, si një hapësirë, që e kemi ndarë së bashku nëpër shekuj.

Para 20 vitesh, kjo rrugë e kishte domethënien e braktisjes së atdheut për të kërkuar shpëtim. Sot marrim frymë lirshëm dhe me guxim, shohim përtej fatkeqësisë në të ardhmen prosperuese.

Këtë autorrugë, të gjithë do ta përjetojmë si rrugë të miqësisë.

Po sot, me mikun tim dhe të Kosovës, Dushko Markoviq, e përuruam shtëpinë e malazezëve në Kosovë, Qendrën për Zhvillim, si shenjë në kohë, se epoka në të cilën kemi hyrë, do të jetë epokë e së vërtetës dhe se do të ndajmë e do të bashkojmë së bashku vlerat tona, miqësitë tona, më afër miqve, me të cilët ndajmë vlerat e përbashkëta euroatlantike.

Shpresoj shumë që me mikun tim, Zoran Zaev, së shpejti do të jemi bashkë në përurimin e pjesë së mbetur deri në Shkup në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Janë paratë e taksapaguesve, të qytetarëve të Kosovës dhe ju garantojmë me përgjegjësinë më të madhe, se me respektin më të madh është bërë kujdes që ky investim të jetë në përputhje me obligimet ligjore që kanë institucionet e vendit, në përputhje me qëllimin e këtij projekti, që sot ta kemi të përfunduar.

Kemi hasur në sfida gjatë rrugëtimit, por nuk jemi ndalë, sepse kemi pasur besim, jo vetëm në cilësinë e ekspertizën e operatorëve, por në të gjithë ata parametra të tjerë, që dëshmojnë se është njëra ndër veprat më të bukura të infrastrukturës në Ballkan.

Kosova po ecë me guxim në infrastrukturë. Ne jemi në përfundim e sipër të tri drejtimeve drejt Republikës së Serbisë, pra, Gjilan-Dheu i Bardhë, Mitrovicë, po ashtu edhe Podujevë.

Ka mbetur edhe një autorrugë e rëndësishme, për një zonë, e cila është autorruga e Dukagjinit. Ajo lidhë Istogun, Pejën, Gjakovën, Deçanin, Rahovecin e Prizrenin.

Është një projekt shumë i rëndësishëm, por i cili ka parametra jo vetëm ekonomikë, por të gjithë parametrat e nevojshëm që të ndodhë.

Duke qenë kështu, ju ftoj që së shpejti, të bashkohemi në nisjen e punimeve për autostradën e Dukagjinit.

KOMENTE