Auditori i Brendshëm i Komunës së Kamenicës vazhdon angazhimin si ligjërues në Programin Kombëtar për Certifikimin e Auditorëve të Brendshëm
Auditori i Brendshëm i Komunës së Kamenicës, Luan Baxhuku, ka vazhduar angazhimin e tij si ligjërues në kuadër të Programit Kombëtar për Certifikimin e Auditorëve të Brendshëm në sektorin publik në Republikën e Kosovës.
Rreth 60 pjesëmarrës kanë qenë pjesë e dy grupeve të thirrjes së dytë të këtij programi. Për 14 ditë radhazi, Auditori Baxhuku ka ligjëruar modulin e tretë të trajnimit me temë “Metodologjia dhe Shkathtësitë e Auditimit të Brendshëm”.
Pjesëmarrësit të cilët paraprakisht kanë kaluar provimin parakualifikues për auditorë të brendshëm kanë ndjekur ligjëratat e këtij moduli dhe pas përfundimit të tij do t’i nënshtrohen provimit teorik dhe më pas atij praktik.
Trajnimi u karakterizua nga një qasje e kombinuar teorike dhe praktike, duke përfshirë punë në grupe, diskutime interaktive dhe shkëmbim përvojash ndërmjet pjesëmarrësve.
Auditori Baxhuku, njëherësh ligjërues në këtë trajnim, theksoi se ishte një nder i veçantë të kontribuojë në aftësimin e profesionistëve të rinj, duke ndarë me ta përvojën e tij 14-vjeçare si Auditor i Brendshëm në Komunën e Kamenicës.
“Përfundimi i këtij moduli shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin profesional të auditorëve të rinj të brendshëm. Ishte një kënaqësi e veçantë që së bashku me kolegun z. Naim N. Behluli, të kontribuoj në këtë trajnim dhe të ndaj përvojën time profesionale me pjesëmarrës kaq të përkushtuar dhe aktivë. Angazhimi, bashkëpunimi dhe diskutimet konstruktive gjatë gjithë procesit e bënë këtë trajnim një përvojë të vlefshme për të gjithë ne. Besoj se njohuritë dhe shkathtësitë e fituara do të jenë një bazë e fortë për rrugëtimin e tyre profesional dhe për forcimin e praktikave të auditimit të brendshëm në sektorin publik”, u shpreh Auditori Luan Baxhuku.
Për Komunën e Kamenicës është një privilegj i veçantë që profesionistët e saj të angazhohen në programe të tilla kombëtare, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit ndaj zhvillimit profesional të stafit dhe duke kontribuar në ngritjen e standardeve të auditimit të brendshëm në sektorin publik. /2LONLINE/
