DYLON

Aty ku po edukohem?!

Avatar photo Redaksia

Shkruan : Mr.sci.Nevzat Shemsedini

/2L ONLINE/ – Rasti i ushtrimit të dhunës në një institucion parashkollor në Shqipëri dhe shumë raste të tjera ,”që nuk dihen” që ushtrojnë dhunë ndaj engjëjve që të gjithë i presim me padurim ardhjen e tyre në këtë botë më motivoi të jap mendimin tim profesional dhe psikologjik.

EkoHigjiena

Këndvështrim psikologjik!

Ahh…. zemra vogël, e di që nuk të kanë kuptuar ende botën tënde “Botën e zhvillimit”, Këto lotët që kërkonin mesazhin se “unë jam i/e vogël “ e më duhet dashuria , loja, përkëdhelja e jo dhuna, nuk dhanë kuptim. Të lutem, unë nuk e meritoj,se jam ende duke u rritur, unë nuk dua dhunë, dua dashuri, por këtu nuk e marr dot, këtu unë derdhi vetëm lot, sepse jam në vendin ku “EDUKOHEM “.Këtu unë po marr… hapat e parë për të vazhduar tutje, prandaj mos më “Trishtoni” se edha ashtu jam i trishtuar, sepse kam një botë tjetër nga fëmijët tjerë “unë nuk flas por lotët me rrjedhin dhe flasin shumë për botën time”. Po mirë, edhe pse ndodh kështu, unë të fali se kam shpirt fëmije, por Trishtimin që më krijoni nuk do t’ia falë kurrë…. Të lutem mos lë plagë në shpirtin tim të vogël “se edha ashtu e kam të vrarë”, këtë që po bënë ndaj meje do të mbesin “TRAUMA” për të ardhmen time, prandaj do të kam vështirë t’i rikuperoj ! Athua, kushedi edhe sa e sa fëmijë të tjerë derdhin lot si unë e nuk i kupton askush !? Andaj ….eja më merr , me përqafo se unë nuk di të urrej ! Bota ime din vetëm me dashtë, prandaj me jepni dashurinë, sepse kjo më së shumti më mungon!

Në rreshtat më lartë u mundova të paraqes në mënyrë psikologjikë se si flet fëmija në raste të tilla nga brendësia e tij dhe ne nuk mund ta kuptojmë ,deri sa kjo dhimbje shpirtërore e tij /saj të reflektoj, por pastaj do jetë vonë….!

Pasojat psikologjike të ushtrimit të dhunës tek fëmijët

Dhuna si element ka një ndikim shumë të madh në zhvillimin e fëmijës si : në aspektin psikologjik, fizik, kognetiv, neurologjik edhe emocional të zhvillimit, në gjithë personalitetin dhe ne aftësinë e tij të ardhme për të funksionuar normalisht në shoqëri, përveç ushtrimit te dhunës në aspektin fizik ndaj fëmijës e cila është më e ashpra, një përjetim dhune me pasoja të rënda është edhe konfliktet mes prindërve në prezencën e fëmijës gjë që prek rënd gjendjen e tij/saj emocionale, pastaj relacionet e këqija nënë-babë që reflektohen psikologjikisht, emocionalisht në dhunë tek mendja e fëmijës, e që është pasojë e ndikimit të më vonshëm në personalitetin dhe jetën e tij/saj, edhe komuniteti e sidomos institucionet edukative si: kopshtet e fëmijëve , institucionet parashkollore , shkolla, janë mjedise ku dhuna është prezentë dhe në rritje.

Ky fenomen në vend që të reduktohet ajo po bëhet dukuri pothuajse në përditshmërinë tonë. Sa më i vogël fëmija që pëson dhunë, aq më të mëdha e mbetëse janë pasojat, për shkak se fëmija është në procesin e formimit (zotërimit) të shumë shprehive psikosociale, aftësive të tij, formim të karakterit , formim të tipareve dhe cilësive etj.

Në aspektin psikologjik thuhet se gjatë 5 viteve të para formohen tiparet më të qenësishme, të personalitetit të fëmijës, të cilat në moshë më të vonë vetëm përforcohen dhe nuk ndryshojnë, por mbeten ato që ka formuar gjatë rrjedhës . Thjeshtë deri në këtë moshë formohen, lëvizjet e pavarura, mendimi i pavarur, analiza e thjeshtë, komunikimi nëpërmjet gjuhës, kuptimi i hapësirës e distancës, tërheqja emocionale e tjetrit tek vetja, krijimi i lidhjeve etj, etj.

Të gjitha këto nëse trajtohen në mënyrën më të mirë gjatë zhvillimit , atëherë fëmija do të ecë shumë mirë në rrugën e të kuptuarit të botës në mënyrë më pozitive, por nëse këto prekin në mënyrë negative gjatë këtyre fazave të zhvillimit e sidomos para kësaj moshe, atëherë këta fëmijë do të kenë një jetë të pakënaqshme dhe një funksionim jo të suksesshëm në karrierën e tij/saj.

Ushtrimi i dhunës ndaj fëmijëve në institucionet qoftë parashkollore apo edhe shkollore është shumë më ndikues për shumë arsyeje.

-e para: se nuk ka asnjë mbështetje familjare, ku mund të gjej prehje,
-e dyta: frika permanente e mos realizimit të qëllimit nga ana pedagogut,
-e treta: injorimi nga shokët shoqet, përqeshja,
-e katërta: humbja e shpresës për të ardhmen

Si manifestohen problemet posttraumatike

Sidomos tek fëmijët e vegjël shoqërohet me qarje, trembje natën,,vështirësi për të fjetur, i frikësuar, shpërthime zemërimi.

Pas ushtrimit të dhunës ndaj një fëmijë e sidomos ushtrimit të dhunës fizike, fëmija do të jetë pjesë e një stresi posttraumatik. Kjo lloj gjendje nëse nuk trajtohet do të ketë pasoja në rrugëtimin e tij zhvillimor, e sidomos në procesin e nxënies, altruizmit (shoqërizimit), komunikimit, humbjen e besimit, ndrydhje emocionale, i trishtuar, bëhen me inferior, shfaqje e agresivitetit, humbje të shprehjes verbale etj.

Aspekti emocional preket rëndë dhe zhvillohet mungesa e dhembshurisë, dashurisë, mizoria, indiferenca e ftohtësia për vuajtjen e tjetrit, por edhe mungesa e empatisë. Nuk mund të mos preket edhe aspekti mendor (psikik), sepse duke përjetuar vazhdimisht dhunë dhe frikë apo pritshmëri për dhunë, ndodhin dhe çrregullimet e sferës njohëse të të menduarit apo perceptimit për jetën.

Por, nuk mbetet anash as sfera sociale, fëmijët që kanë përjetuar dhunë do të ndikoj shumë në të ardhmen e tyre në aspektin social, këta fëmijë do kenë sjellje kërcënuese, bëhen me reaktiv, reagojnë në mënyrë më impulsive, etj.

Prandaj , sipas Teorisë së Modelimit të Bandures , fëmijët që përjetojnë një gjë të tillë, ata mësojnë të njohin e përdorin dhunë, agresivitet fizik, trembjen e tjetrit, dhunën në raportet me tjetrin, shkatërrimin e pronës etj, Me një fjalë nga këndvështrimi psikologjik “Fëmijët që përjetojnë dhunë në të ardhmen e tyre manifestojnë sjellje të dhunshme “

Kujdes! Jepni dashurinë fëmijëve, sepse janë ardhmëria jo vetëm e familjes, por e tërë shoqërisë. /2L ONLINE/

/autori është psikolog klinik/

Në artikullin e ardhshëm: Si të rrisim fëmijë të lumtur