ATK: Publikohet versioni i ri i Sistemit Elektronik EDI
Administrata Tatimore e Kosovës ju njofton se është publikuar versioni i ri i Sistemit Elektronik EDI, i cili përmban shërbimin e ri elektronik “Kërkesë për Fiskalizim”.
Ky shërbim është funksionalizuar në zbatim të Udhëzimit Administrativ (MF) Nr. 01/2026 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronik Fiskalë, me qëllim të pajisjes së tatimpaguesve me Kodin Unik për Fiskalizim, i cili është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF).
Përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim” mund të aplikojnë:
* tatimpaguesit që do të fillojnë përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF);
* tatimpaguesit që janë në proces të kalimit nga Pajisjet Elektronike Fiskale (PEF) në Softuerin Elektronik Fiskal (SEF).
Shërbimi është i qasshëm në Sistemin Elektronik EDI, në menynë “Fiskalizimi”, përmes opsionit “Kërkesë për Fiskalizim”.
Përmes këtij shërbimi, tatimpaguesit të cilët tashmë janë pajisur me Kodin Unik për Fiskalizim do ta kenë të shfaqur Kodin Unik për Fiskalizim në sistem.
Ndërsa, tatimpaguesit të cilët nuk janë pajisur ende me Kodin Unik për Fiskalizim do të kenë mundësinë të aplikojnë për pajisje me Kodin Unik për Fiskalizim përmes këtij shërbimi.
Kujtojmë se pajisja me Kodin Unik për Fiskalizim është parakusht për përdorimin e Softuerit Elektronik Fiskal (SEF). Për këtë arsye, ATK i fton të gjithë tatimpaguesit që planifikojnë të përdorin SEF, si dhe ata që janë në proces të kalimit nga PEF në SEF, të verifikojnë statusin e tyre në Sistemin Elektronik EDI dhe, nëse nuk janë pajisur ende me Kodin Unik për Fiskalizim, të parashtrojnë kërkesën përmes shërbimit “Kërkesë për Fiskalizim”.
“ATK mbetet e përkushtuar në avancimin e shërbimeve elektronike dhe lehtësimin e përmbushjes së obligimeve tatimore përmes digjitalizimit të proceseve, duke ofruar shërbime moderne, efikase dhe të qasshme për të gjithë tatimpaguesit”, thuhet në njoftimin e ATK-së. /2LONLINE/
