-Vazhdon diskriminimi i mësimdhënësve që punuan nën okupim-
Shkruan: Nexhat Buzuku
/Kërkohet që sa më shpejt të vëndoset në rend dite çështja e kompensimit të mësimdhënësve për periudhën 10-vjeçare (1990-1999)/
/2L ONLINE/ – Për mësimdhënësit që për punën e bërë në arsimimin e brezit të ri, që organizuan mësimin paralel në gjuhën shqipe, duke sfiduar regjimin pushtues në vitet 1990-1999, që punuan në kushte skajshmërisht të rënda, nën përndjekje e kërcënim të vazhdueshëm, që mision patën dijen, guximin dhe dritësimin e atdheut; që me angazhimin e tyre përkushtues dhe pothuaj mitik mbajtën qëndresën në vertikalitet; që penguan shpërnguljen e popullatës nga Kosova duke i mbajtur të rinjtë në shkolla, që ruajtën qenësinë dhe substancën kombëtare, për ata që sot, në liri e demokraci, në shtet, për punën e bërë, marrin pension në vlerë 70 euro.
Pse askush nuk reagon kur mësimdhënësi që, edhe ai është sakrifikuar për vendin, që ka humbur shëndetin dhe rininë duke ngarendur sa në një shtëpi-shkollë në tjetrën, që ka humbur materialisht për 10 vjet, më shumë se cilado kategori e popullatës së këtij vendi, merr pensionin prej 70 eurosh?!
Pse ata, që aq shpejt e furishëm reaguan e po reagojnë për pagat-pensionet e veteranëve prej 170 eurosh nuk e thanë kurrë një fjalë edhe për veteranët e arsimit që pensioni i tyre është 70 euro, e një numër shumë i vogël arrinë të marr pension prej 140 eurosh?!
Mësimdhënësi, veterani i arsimit, që nuk iku nga atdheu, por me dinjitet punoi në arsimin e brezit të ri, a nuk meriton të ketë pension të dinjitetshëm, që moshën e pleqërisë ta kalojë rehatshëm dhe jo duke llogaritur e numëruar sa centë i mbetën për një kafe.
E çfarë mund të bëjë mësimdhënësi i pensionuar me 70 euro?! A mund të usheqet, a mund të blejë ilaçet, a mund të bëjë pushimet?! Çfarë mund të bëjë me 70 euro?
Askush nuk ka të drejtë t’i diskriminojë; asnjë qeveri asnjë parlament i çfarëdo përbërje e koalicioni që të jetë. Akush nuk ka të drejtë t’i lë në harresë, t’i poshtërojë e t’i lë nën mëshirën e lëmoshës që kurrë nuk e kërkuan as nuk e deshën, as nuk e duan. Ata, mësimdhënësit veteran, ata që punuan nën ndjekje e kërcënim nuk duan tjetër përpos kompensimin e djersës së tyre.
Kuvendi i Kosovës duhet t’i lërë vezët, përplasjet për pushtet dhe duhet të merret me problemet jetike dhe ekzistenciale të qytetarëve.
Institucionet e vendit, legjislativi dhe ekzekutivi duhet urgjentisht ta vendosin në rend dite pozitën e rëndë sociale dhe ekzistenciale të mësimdhënësve të pensionuar; që përfundimisht të rregullohet statusi i mësimdhënësve që kanë punuar në periudhën 1990-1999.
Ministria e Arsimit, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojnë me përgjegjësi dhe pa shtyrje pozitën e rëndë sociale dhe statusin e të gjithë mësimdhënësve që punuan në vitet 1990-1999, që atyre t’u kompenzohen mjetet financiare për 10 vjet.
Institucionet e vendit duhet t’i kërkojnë Serbisë që arsimtarëve shqiptarë t’ua kompenzojë pagat që ua ndërpreu me 01.01.1991. Është kërkesë e arsimtarëve që kjo çështje të rregullohet sa më shpejtë. Mësimdhënësit theksojnë se kanë pritur që edhe sindikatat e arsimit të flasin për këtë çështje, që të angazhohen, por ato po heshtin.
Përfundimisht çështjet e pensioneve dhe të kompensimit të mësimdhënësve për periudhën 10 vjeçare nën okupim duhet të shtrohet për zgjidhje, sa më shpejtë./2L ONLINE/