(2L ONLINE) – Kryhet e diela dhe vjen dita e hëne, shkojnë javët, muajt dhe ndërrohen vitet, e gjendja mbetet gjithënjë e njëjtë. Është ky vend i paradokseve ku thuhet me zë të lartë se ka rritje ekonomike dhe mirëqenie, e ku raportet flasin po ashtu për rritje të papunësisë dhe varfërisë. Ku fakultetet prodhojnë gjysmë profesionistë – gjysmë analfabetë me diplomë në dorë, ku shteti jep për kulturën aty ku prodhohet më së paku kulturë, ku rinisë aq të madhe në numër i premtohet e ardhmja, por kurrë e tashmja.
Shkruan: Veton Nevzadi
Është ky vendi ku të gjithë kanë të drejtë në diçka dhe ku të gjithë e kanë gabim njëkohësisht. Ku rrena zenë shumë vend, ndërsa e vërteta mjegullohet deri në çmenduri.
Vendi ku detyruar ti dëgjosh dhunshëm predikimet e imamëve nga altoparlantët e vendosur jashtë në rrugë, sepse nuk u mjafton ajo që e thonë vetëm brenda , e ku shteti si një spektator vazhdon sillet e pështillet hutueshëm në rutinën e vet, siç thotë një fjali e vjetër shqipe: bash sikur “pordha n’tirqi”.
Nuk po më mbushet mendja assesi që po shkojmë rrugës së duhur për ku ishim nisur si shoqëri. Kosova dalë ngadalë po e zhvendosë kursin e saj të lënë amanet nga ata që dhanë jetën për të jetësuar ëndrrën e shumë brezave për lirinë, demokracinë dhe prosperitetin.
Shihni zhvillimet politike dhe sjelljet e akterëve të politikës në Kosovë pas zgjedhjeve të qershorit. Hamendem dhe pyes, a thua kanë lexuar ndonjëri nga këta individë për shembujt e burrështetasve që i mbanë mend historia botërore? A din ndonjëri nga këta individ të japin ndonjë shembull që do të mbahej mend në analet e historisë së demokracisë ? Të gjithë sillen me logjikën e linçimit dhe përbuzjes duke mos llogaritur pasojat e këtyre veprimeve që po e mbajnë peng vendin këtyre ditëve.
Të gjithë pa përjashtim po japin shembullin se nuk dallojmë shumë nga ajo që përfaqësohet prej më shumë se dy dekadave në politikën e Shqipërisë. Zatën të njejtë jemi edhe me nacionalitet, por keq që po e kopjojmë një model të tillë.
I përcillni zhvillimet shoqërore që po ndodhin në qarqet që ndërlidhen me rolin e eksponentëve të rëndësishëm të komunitetit islam në Kosovë për luftërat fetare që po zhvillohen në Lindjen e Mesme? Me përjashtimin kur ka fakte të përfshirjes së këtyre individëve në çfarëdo mënyrë në këto luftëra. A nuk jemi edhe në këtë rast dëshmitar të një linçi të përgjithshëm shoqëror ndaj këtyre personave dhe këtij komuniteti? A nuk kemi të bëjmë me një etje për armiq të brendshëm që po shtyen edhe qarqe të shtetit të veprojnë për të shuar atë, duke krijuar skena ku imami më mjekër patjetër portretizon të keqen, kushdo qoftë ai.
Besoj në vlerat e demokracisë të cilat garantojnë praktikumin e secilës fe në Kosovë, deri në masën ku nuk pengohen të tjerët (siç është rasti me ligjëratat e rrugës me altoparlantë). Prandaj feja nuk do të duhej të ishte një parakusht për të qenë i linçuar apo i privilegjuar në një shtet demokratik.
Edhe në këtë rast Kosova nuk duhet ti ngjajë Shqipërisë së “Revolucionit Kulturor” ku në mënyrë të veçantë pësuan katolikët e Veriut të Shqipërisë, dhe ku kleri linçohej për mënyrën se si dukej duke u akuzuar për lidhje dhe komplot me Vatikanin kundër shtetit.
Nëse ka ndonjë problem në këtë mes, atëherë ai ka të bëjë kryekëput me shtetin dhe dështimin tij në ngritjen e mirëqenies dhe vetëdijes së qytetarëve të tij. Rrënjët e këtyre devijimeve shoqërore gjinden tek mungesa e perspektivës së qytetarëve të këtij vendi. Linçi dhe dënimi shoqëror pa gjyq për shkak të bindjeve politike apo fetare sjellë vetëm përçarje dhe varfëri. Varfëria nuk i largon njerëzit nga religjioni, përkundrazi, At Zef Pllumi në një rast analog në librin “Rrno vetëm për me tregue” parafrazon Shën Françeskun duke thënë: Por ata nuk e dijnë se feja asht edhe ma e fortë në vorfni se në pasuni”. /2L ONLINE/