Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton se është përfshirë në një projekt të përbashkët rajonal të Komisionit Evropian.
Projekti SEWP është mjaft ambicioz dhe ka për qëllim të mundësojë një ambient ligjor, të përparojë medie pluraliste përmes fuqizimit të asociacioneve të gazetarëve, në mënyrë që të jenë efektivë dhe akterë të pavarur llogaridhënës në zbatimin e standardeve të BE-së për lirinë e medieve në Ballkanin Perëndimor.
Projekti, i cili ka për qëllim edhe të avancojë të drejtat e qytetarëve për informim, zbatohet nga 6 asociacione rajonale të gazetarëve dhe zgjatë 3 vjet.
Në kuadër të aktiviteteve të SEWP do të krijohet Rrjeti për Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm dhe Parandalimit si mekanizëm të evokimit të përbashkët për zbatimin e standardeve të BE-së në fushën e medieve dhe parandalimin e praktikave jo të mira, përmes ngritjes së kapaciteteve, rrjetëzimit dhe shkëmbimit të përvojave mes asociacioneve rajonale të gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të shpallë konkurse publike për të plotësuar pozitat e lira për realizimin e këtij projekti.
Kjo është hera e parë që asociacionet rajonale bashkojnë forcat në një projekt të kësaj rëndësie me impakt në rajonin e Ballkanit Perendimor.
AGK është një organizatë joqeveritare, jo profitabile. AGK promovon, inkurajon dhe punon për tëpërmirësuar pozitën e gazetarëve në shoqërinë kosovare. Organizata bën përpjekje për të forcuar solidaritetin ndërmjet gazetarëve kosovarë dhe për të përmirësuar profesionalizmin e medieve në Kosovë. AGK ngrit zërin e përkrahjes për të drejtat e gazetarëve në forume lokale dhe ndërkombëtare, thuhet ne njoftim.