Në parlamentin lokal në Bujanoc të mërkurën u zhvillua një debat i nxehtë mes këshilltarëve shqiptarë opozitë-pozitë. Grupi i këshilltarëve të PVD-së, qysh në fillim të seancës kërkoi që në rend dite të futet edhe diskutimi për propozim vendimin që komuna e Bujanocit t’i bashkohet Asociacionit të komunave shqiptare të Luginës si dhe ndryshimin e emërtimit të sheshit në këtë qytet, nga “Kargjorgje Petroviq” në sheshi “Skënderbeu”.
“Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Bujanocit duhet të deklarohen. Është e drejtë që të aprovohet dhe kërkohet bashkimi me Asociacionin. Që ky vendim i Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë i mbajtur më 12 shtator në Preshevë të jetë i plotfuqishëm, duhet të votohet. Nuk mund të qëndrojmë indiferent”, u shpreh Ragmi Mustafa, shef i grupit të këshilltarëve të PVD-së në Bujanoc, raporton Titulli.com.
Për Adnan Salihun, përfaqësuesin e Lëvizjes së Progresit Demokratike, parti që drejton me parlamentin lokal, propozimi i PVD-së është qëllim keq.
“Të gjithë e dinë se seanca e Këshilltarëve shqiptarë të tre Kuvendeve i mbajtur në Preshevë ka qenë publikë, ajo seancë është mbajt me iniciativën e këshilltarëve. A është legale apo jo, ne e kemi kry atë punë”, replikoi Salihu.
Debati ngjalli interesim edhe tek deputeti popullor Nenad Mitroviq nga Partia Përparimtare Serbe e kryeministrit Vuçiq, i cili tha se nuk e ka të qartë pse Kuvendi Komunal në Bujanoc të sqarohet duke shtruar pyetjen se a nuk është formuar Asociacioni të shtunën ku është edhe Bujanoci dhe Presheva?!
Mustafa sqaroi se procedura e kërkon që së pari Kuvendi Komunal i Bujanocit duhet të votojë dhe më pas procesi të vazhdojë në Kuvendin e këshilltarëve shqiptarë të tre komunave në Luginë të Preshevës.
Kryesuesi i seancës Jonuz Musliu tha se është pru vendimi edhe është mbajtur seanca. “Më madhor është Asociacioni i komunave. Vendimi është marrë”, tha Musliu.
Fatmir Hasani, këshilltarë nga radhët e PVD-së tha se qëllimi është që procesi të kryhet në mënyrë profesionale.
Ai me këtë rast sqaroi se subjekti i tij që 25 vite nuk ka gabuar politikisht. “Gjithmonë kemi marrë pjesë në procese me rëndësi për shqiptarët”, nënvizoi Hasani.
Seanca e sotme arriti kulmin kur kryetari i Kuvendit, Jonuz Musliu nuk pranoi që në rend dite të fusë propozimin e partive opozitare shqiptare, PVD-së dhe UDSH-së, me ç’rast për një kohë këshilltarët opozitar bllokuan foltoren e Kuvendit. I gjendur para kësaj situate Musliu u detyrua të kërkojë një pushim.
Duhet theksuar se Partia për Veprim Demokratik dhe Unioni Demokratik Shqiptarë nuk kanë marrë pjesë në seancën e së shtunës në Preshevë ku u soll vendimi për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës.
PVD, qëndrimin e tillë e ka arsyetuar se partitë tjera themelimin e Asociacionit po mundohen ta shfrytëzojnë për marketing politik.
Në seancën e sotme, veç propozimeve të PVD-së dhe UDSH-së, të cilat deri në momentin e raportimit nuk arritën të futen në rend dite, do të shqyrtohen edhe tetë pika tjera të parapara me rendin e ditës.