‘Asnjë zyrtarë apo lojtarë i SC Gjilanit nuk ka qenë i përfshirë në këto incidente dhe ne si klub nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për ngjarjet e ndodhura me këtë rast. Gjithashtu vlen të theksohet se edhe zhveshtoret janë dëmtuar pas ndeshjes”, thuhet në një reagim të klubit të futbollit Gjilani, lidhur me zhvillimet që ndodhen pas ndeshjes Gjilani – Prishtina.
Ja reagimi i plotë:
SC Gjilani në kuadër të javës së XXIX të Ipko Superligës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura lidhur me organizimin e ndeshjes kundër KF Prishtinës. Janë njoftuar organet e sigurisë dhe është kërkuar numër i duhur i zyrtarëve policorë për të menaxhuar rrjedhën e ndeshjes, poashtu edhe zyrtarët policorë të angazhuar nga FFK kanë qenë prezent në takim.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes ka pasur reagime të vazhdueshme nga banka e KF Prishtinës ndaj vendimeve të arbitrave të ndeshjes. Sidoqoftë ndeshja ka qenë e karakterizuar me lojë të fortë nga të dy ekipet.
Me të përfunduar ndeshja, shumë lojtarë dhe antarë të stafit teknik janë vërsulur në drejtim të gjyqtarëve të cilët ishin marrë në mbrojtje nga zyrtarët policorë të Njësisë Speciale ( të angazhuar nga FFK).
Zyrtarët Policor kanë përdorur sprejin për të ndaluar sulmin ndaj gjyqtarëve.
Asnjë zyrtar apo lojtar i SC Gjilanit nuk ka qenë i përfshirë në këto incidente dhe ne si klub nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për ngjarjet e ndodhura me këtë rast. Gjithashtu vlen të theksohet se edhe zhveshtoret janë dëmtuar pas ndeshjes.
Zyrtarët e SC Gjilanit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për qetësimin e situatës. Ky incident në asnjë mënyrë nuk është incident në mes të SC Gjilanit dhe KF Prishtinës.
Në fund kur zyrtarët dhe lojtarët e KF Prishtinës janë nisur nga Stadiumi “Agim Ramadani-Katana”, ka ndodhur edhe një incident ku sipas informatave nga Policia e Kosovës, një zyrtarë i KF Dritës ka tentuar të sulmoj një zyrtarë të KF Prishtinës. Kjo ka ndodhur jashtë stadiumit.
SC Gjilani i fton organet e FFK-së dhe organet tjera shtetërore që këtë ngjarje ta zbardhin deri në fund dhe akterët të marrin dënimet e merituara.
Duam të theksojmë se ngjarjet në fund të takimit nuk e zbehin fitoren tonë.