Boksieri shqiptar, Asmer Bilalli ka fituar trofeun kryesor të turneut të 15-të ndërkombëtar “Adem Jashari”, që u mbajt të shtunën në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan, në praninë e rreth 2.000 shikuesve.
Ky turne nga ky vit është përfshirë edhe në kalendarin zyrtar të AIBA-s, kurse boksierët kosovarë patën paraqitje të mirë. Armend Xhoxhaj, Arian Gashi dhe Liridon Zeqiri shënuan fitore ndaj rivalëve të tyre, derisa Gazmend Gashi e dorëzoi meçin për shkak të lëndimit të arkadës. Boksieri më ‘fair-play’ u shpall Liridon Zeqiri, kurse epiteti i boksierit më teknik i takoi Marko Radoniqit.
Asmer Bilalli fitoi në duel me boksierin maqedonas, Bojan Ristevski, pas një meçi mjaft joshës dhe rivalizues. Një duel tejet interesant ishte edhe ai ndërmjet Arian Gashit të Kosovës dhe italianit Caplen. Ndërkohë, Liridon Zeqiri pati një paraqitje të shkëlqyeshme në duel me malazezin, Stefan Sekoliq, duke e detyruar trajnerin e këtij të fundit që ta dorëzojë meçin pas rundit të parë. Cilësi të jashtëzakonshme tregoi edhe Armend Xhoxhaj, i cili arriti ta mposhtë boksierin nga Bosnja, Xhemajl Boshnjak pas rundit të parë.(RTK)