Askush s’më njeh kaq gjatë sa ti

Askush s’më njeh kaq gjatë sa ti

ASKUSH S’MË NJEH KAQ GJATË SA TI

(Krijime të reja poetike)

Albina IDRIZI

TËRRNOCI

Më vjen, përmallshëm, të të zgjas duart n’përqafim
Si degë pemësh, moskokëçarëse, andej kufiri,
Të davarit mjegullën e ligë të një trilli
Si pluhurin e viteve mbi një kartolinë.
Lagjeve tua të bredh, më vjen, skaj më skaj
Me puthje të trokas shtëpi më shtëpi,
Pastaj, si fustan, ti qepem malit përbri
Në burim Klladaneci shikimin të laj.
Askund, askush, s’më njeh kaq gjatë sa ti
Si bijë e Avniut, Sabit, Aliut, Rexhgashve…
Gjithkah, gjithkush, shkurt Albinë, më di.
Më vjen të të shtrëngoj fuqishëm në gji
Si rrënjë pemësh, moskokëçarëse, thellë nën dhe,
M’linde të tillë që, më t’madhe se veten t’kem dashuri.

VAJ

Është lodhur fjala
Në kërkim të oratorit të ri,
Është zbehur edhe vargu
Nga alegori e kohës,
Si gërshet i bardhë Nëne
Mbuluar në zi,
Pa arritur të shplekset
Për të gjallë.
Rrugë e gjatë
Nga shkronja e parë
Kur zë në thua kumteve,
Me çdo ninulë
Që nuk u rrit dot në këngë,
Me çdo këngë
Që nuk u shtua dot
Në ninulë.
Zot, me çfarë
Do e ngushëllojë veten
Njerëzimi
Në mungesë të një
Rrëfimi të ri,
Nga një trevë e lashtë,
Për gruan e vetmuar
Që lufta la pas,
E deshti veç me dashtë.

TË KA NDODHUR

Të ka ndodhur ndonjëherë
Të lidhesh për fjalë
Si në gjarpërinj zingjirë
Që vrasin e mpijnë me çdo lëvizje
Gjuhë, sy e gjymtyrë.
Të mbathesh me to
Si në këpucë tunxhi
Dënuar të ngrish rrugës
I gjallë.
Të ka ndodhur
Të të kacaviren duarve
Degë të pakrasitura fjalë – fjalë,
Të mbulohesh makthit
Të së pamundurës,
Malluar një përqafimi
Nga zgjatimet e çoroditura
Që shtrëngojnë, ngulfatin
Mbysin dalëngadalë.
Të ka ndodhur
Ah, duhet të të ketë ndodhur,
Të të zgjaten qerpikëve, flokëve
Lule – fjalë,
T’i lidhësh kurorë
T’i marrësh erë
Aty ku mbështetesh e mbyll sytë
Mbrëmjes, për të fundit herë.

THIRRJE PËRBRENDA

E kotë të shtiresh
Pjesë e një alegroje të kohës,
Kur përbrenda gjithmonë të fton
Një harfë Orfeu
Me miliona vjet drite rrugë:
“Eja!
Vetëm poetët
Kanë të drejtën e zhbirimit
Nëpër tejbotë.
Atje, ku arkeologjia e fjalës
Është aq afër Zotit.
Vetëm ata munden
Të flasin me yjet, bimët, shtazët,…
Të fluturojnë qiellit pa krahë,
Të kalojnë detra pa u lagur,
Të zbërthejnë enigma perandorësh,
Të këmbejnë mrekulli profetësh,
Të dëgjojnë për çdo natë
Rrëfimet e Sheherzades,
E t’i përvidhen Kreontit
Sa herë duan të kalojnë matanë.
Pastaj prapë, si asgjë,
Të kthehen po aty ku janë.
Eja!”
E kotë të shtiresh,
Kur përbrenda një pastoraleje shpirti
Ngarkuar me trastën e absurdit mbi shpinë,
Gjithmonë ndjek një zë
Pas të cilit, si në përrallë,
Mbeten thërrmijat e misterit –
Cila nga ne, është vërtet gjallë!

FEMËRORE

Vështroj gishtërinjtë e mi
Zgjatime kuturisëse
Që gërryejnë në mua
Mund të bëhem buknore
Po deshën
Nënkresë a velenxë ditënetëve
Në faqosje shekujsh
Termometër në tituj të tyre
Kur kullojnë nga angështia
E ballafaqimit me kohën
Mund të bëhem gjithçka
Veç vetes për qejf të vet
I shoh për çdo mbrëmje
Si shtrihen matanë murit
Nën jehonë pasthirrmash
Përkundin, ledhatojnë,…
Dhe kthehen me të gdhirë
Përditësimit dufzaptues
Me manikyr të ri
Për tu gurëzuar qetësisht, ‘trendy’
Pa rënë në sy.

E KISHA MDËRMEND …

E kisha ndërmend të të dua
Pas luftës, më shumë,
Ishte premtimi që i bëra vetes
Me zë të lartë.
Çmenduri qe dashuria atëbotë,
Apo qe kohë e çmendur për tu dashtë?
Duhej zë të heshtje krismat,
Puthje të qepje plagë,
Përqafime të ngjitje gjymtyrë,
Arna shpresash, o sa duheshin
Të mbaje shpirtin gjallë.
U gdhimë një ditë, papritur
Të tjetërsuar, si të tjerë shumë,
Unë grua, ti burrë
Pa qenë dashnorë kurrë.
Premtimi dergjej gërmadhave tona diku…!

KOMENTE