Asgjë nuk bëmë për Bekim Fehmiun
Një komb nuk e humb një artist vetëm kur ai vdes. E humb atëherë kur nuk di ta ruajë kujtimin, veprën dhe dinjitetin e tij.
Shkruan: Ilir Muharremi
Ka momente kur një lajm nuk duhet lexuar vetëm si informacion, por si një pasqyrë ku një shoqëri detyrohet të shohë veten. Lajmet për nderimin e Bekim Fehmiut në Beograd, për themelimin e një çmimi që mban emrin e tij dhe për krijimin e një hapësire të përhershme muzeale kushtuar jetës dhe veprës së aktorit, janë pikërisht të tilla. Ato nuk flasin vetëm për një artist të madh. Flasin edhe për ne, për raportin tonë me kulturën, për mënyrën se si i trajtojmë njerëzit që kanë krijuar histori dhe për paaftësinë tonë për ta kthyer kujtesën në institucion.
Bekim Fehmiu nuk ishte një aktor i zakonshëm. Ai ishte një fenomen artistik që kapërceu kufijtë e gjuhëve, shteteve dhe sistemeve politike. Emri i tij u bë pjesë e historisë së kinematografisë evropiane dhe botërore. Ai kishte një prani që nuk varej vetëm nga rolet që interpretonte, por nga një individualitet artistik që e bënte të dallueshëm kudo ku shfaqej. Në ekran, Fehmiu nuk ishte thjesht interpretues i personazheve; ai krijonte një botë të brendshme, një tension njerëzor dhe një mënyrë të veçantë të komunikimit me shikuesin.
Pikërisht për këtë arsye, trashëgimia e tij nuk mund të trajtohet si një çështje ceremoniale, as si një emër që përmendet vetëm në përvjetorë. Ajo kërkon kujdes të vazhdueshëm, institucione funksionale, arkivim, studim, promovim dhe, mbi të gjitha, një kulturë shtetërore të respektit ndaj figurave që kanë lënë gjurmë.
Por çfarë bëmë ne?
Kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë më shumë se çdo deklaratë protokollare. Çfarë ndërtuam në Kosovë për ta ruajtur dhe për ta bërë të gjallë trashëgiminë e Bekim Fehmiut? Ku është hapësira e përhershme që do t’i tregonte brezave të rinj se një djalë nga Prishtina u bë një prej emrave të rëndësishëm të kinematografisë ndërkombëtare? Ku është qendra dokumentare, arkivi i sistemuar, ekspozita e përhershme, programi i studimeve dhe festivali që do ta mbante emrin e tij në qarkullimin kulturor?
Nuk mjafton të thuhet se kemi qenë krenarë për të. Krenaria pa veprim është një formë e lehtë e vetëkënaqësisë. Të krenohesh me një personalitet dhe të mos investosh në ruajtjen e veprës së tij është një kontradiktë që nuk mund të mbulohet me fjalime.
Ndërkohë, në Beograd, trashëgimia e Fehmiut po merr një formë konkrete institucionale. “Kinoteka Jugosllave” ka inauguruar një ekspozitë të përhershme, duke paraqitur fotografi, dokumente, objekte personale, dekorata dhe materiale filmike nga jeta dhe karriera e tij. Në kuadër të këtyre aktiviteteve është paralajmëruar edhe çmimi “Bekim Fehmiu”, që do t’i kushtohet aktorëve. Këto veprime nuk janë thjesht organizime për një përvjetor. Ato përfaqësojnë një përpjekje për ta vendosur një artist në kujtesën institucionale.
Dhe këtu qëndron paradoksi ynë më i madh: një institucion në Beograd krijon hapësirë të përhershme për trashëgiminë e një aktori shqiptar nga Kosova, ndërsa institucionet tona nuk arritën ta ruajnë as emrin e tij në sistemin e çmimeve kulturore.
Nuk është çështja se kush ka të drejtë ta nderojë Bekim Fehmiun. Ai nuk është pronë ekskluzive e asnjë institucioni, as e ndonjë shteti. Arti i tij i përket historisë së kinematografisë dhe kujtesës njerëzore. Ai ka të drejtë të studiohet, të prezantohet dhe të nderohet kudo ku vepra e tij ka lënë gjurmë. Por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë tonë. Përkundrazi, e bën atë edhe më të madhe.
Një tjetër dimension i kësaj situate është heqja e emrit të Bekim Fehmiut nga çmimi kombëtar për veprimtari jetësore. Ky çmim ishte një prej mënyrave simbolike për ta lidhur emrin e aktorit me zhvillimin e artit dhe kulturës në Kosovë. Pas ndryshimeve të bëra në sistemin e çmimeve vjetore të artit dhe kulturës, emrat e personaliteteve që kishin përfaqësuar kategori të ndryshme artistike u larguan nga emërtimet e çmimeve. Kështu, krahas Bekim Fehmiut, u zhdukën edhe emra të rëndësishëm të kulturës sonë, duke ndërprerë një traditë që duhej të ishte pasuruar dhe zhvilluar, jo domosdoshmërisht braktisur.
Mund të ndryshohen rregulloret. Mund të riorganizohen kategoritë. Mund të modernizohet mënyra e ndarjes së çmimeve. Por pse modernizimi duhet të nënkuptojë fshirjen e emrave që përbëjnë historinë tonë kulturore? Çfarë pengese paraqet emri i një artisti të madh në një çmim shtetëror? Përkundrazi, ai e ngre peshën simbolike të vetë çmimit.
Një çmim që mban emrin e Bekim Fehmiut nuk është thjesht një shpërblim për një aktor. Është një mundësi për t’i kujtuar çdo brezi se çfarë përfaqëson profesionalizmi, guximi krijues, dinjiteti dhe përkushtimi ndaj artit. Një çmim i tillë krijon vazhdimësi ndërmjet historisë dhe së tashmes. Ai e bën emrin e artistit pjesë të jetës së përditshme kulturore.
Dhe, nëse një shoqëri nuk di t’i ruajë emrat e personaliteteve të saj në institucionet publike, atëherë duhet të pyesim se çfarë kuptimi ka kujtesa kulturore për të.
Bekim Fehmiu kishte edhe një dimension tjetër, që nuk duhet harruar: ai ishte një artist që nuk pranoi të ndahej nga dinjiteti i vet për hir të komoditetit profesional. Vendimi i tij për t’u tërhequr nga skena jugosllave në vitin 1987, në rrethanat e kohës, mbetet një episod i rëndësishëm i biografisë së tij. Heshtja e tij artistike ishte gjithashtu një qëndrim. Në një periudhë kur presioni politik dhe nacionalizmi po shndërroheshin në mekanizma të përditshëm të përjashtimit, ai zgjodhi të mos e vazhdonte karrierën sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Ky veprim meriton të analizohet jo vetëm në aspektin biografik, por edhe në atë etik dhe estetik. Sepse artisti nuk matet vetëm me atë që krijon, por edhe me raportin që ndërton ndërmjet veprës, ndërgjegjes dhe kohës në të cilën jeton.
Për këtë arsye, Bekim Fehmiu duhet të jetë pjesë e studimeve tona universitare, e programeve të teatrove, e institucioneve filmike dhe e politikave kulturore. Duhet të ekzistojë një fond dokumentar i dedikuar veprës së tij, një ekspozitë e përhershme në Kosovë, një festival ose program filmik vjetor dhe një çmim kombëtar që mban emrin e tij. Këto nuk janë kërkesa luksi. Janë detyrime elementare ndaj historisë sonë artistike.
Nuk duhet të presim që një institucion tjetër ta bëjë punën tonë, për të kuptuar se çfarë kemi lënë pas dore. As nuk duhet ta shndërrojmë këtë çështje në një garë simbolike me Beogradin. Problemi nuk është se Beogradi po e nderon Bekim Fehmiun. Kjo është diçka pozitive për kujtesën e tij artistike. Problemi është se ne nuk kemi arritur të krijojmë një strukturë të qëndrueshme kulturore ku emri dhe vepra e tij të kenë vendin që meritojnë.
Një shoqëri që nuk e dokumenton historinë e artistëve të saj rrezikon ta lërë atë histori në duart e institucioneve të tjera. Jo sepse dikush ia merr me forcë, por sepse vetë ajo nuk ka ndërtuar mekanizmat për ta ruajtur dhe interpretuar.
Nuk kemi nevojë për deklarata të reja për Bekim Fehmiun. Kemi nevojë për vepra institucionale. Nuk kemi nevojë për fotografi të zyrtarëve pranë emrit të tij, por për një politikë kulturore që e trajton trashëgiminë si përgjegjësi publike. Nuk kemi nevojë ta kujtojmë vetëm kur dikush tjetër e nderon. Duhet ta kemi pjesë të vetëdijes sonë kulturore çdo ditë.
Sepse historia e një artisti nuk përfundon me vdekjen e tij. Ajo vazhdon në mënyrën se si shoqëria e lexon, e studion, e ruan dhe ua përcjell brezave të ardhshëm.
Dhe, në fund, pyetja mbetet e rëndë: a mund të flasim për një kulturë me identitet të konsoliduar, nëse nuk dimë t’i ruajmë ata që i kanë dhënë asaj përmasa ndërkombëtare?
Asgjë nuk bëmë për Bekim Fehmiun. Ose, më saktë, bëmë shumë pak për një njeri që meritonte shumë më tepër. Dhe kjo nuk është vetëm një mungesë respekti ndaj një aktori të madh. Është një dështim i mënyrës se si e kuptojmë përgjegjësinë tonë ndaj kulturës dhe kujtesës.
