DYLON

Asfaltohet rruga 3 kilometërshe Lladovë-Nasalë

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Është asfaltuar sot rruga 3 kilometërshe Lladovë-Nasalë, e cila ka një gjerësi prej gjashtë metrash dhe është duke U punuar sipas standardeve europiane. Për të parw nga afër asfaltimin e kësaj rruge, i pranishëm ka qenë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtorët komunal dhe zyrtarët.

“Është njëra nga arteriet kryesore që e lidhë Lladovën, Nasalën dhe natyrisht projekti ka për qëllim të kalojmë edhe në Komunën e Vitisë, duke e bërë një korridor të frekuentimit, por ajo që është e rëndësishme është aspirata e jonë e përbashkët dhe durimi i madh i banorëve të Lladovës dhe Nasalës, në veçanti, ka bërë që sot të jetë një ditë e mirë. Kjo rrugë po shtrohet me të gjitha standardet. Platforma e jonë është të ndërtohet infrastruktura bazike dhe ky është një borxh i kryer ndaj Nasalës dhe Lladovës”, ka thënë me këtë rast kryetari Haziri.

EkoHigjiena

Kryetari Haziri, tha po ashtu se me dinamikën e njëjtë do të vazhdohet me kryerjen e punëve në implementimin e katërshes së madhe të prioriteteve infrastrukturore.

“Ashtu siç që e kemi punuar rrugën e Bilinicës, të Llovcës, rrugët e Karadakut në përgjithësi, i kemi hapur rrugët e Sllakovcit, Kishnapoles, Gadishit dhe po ashtu në qytet, ashtu do të vazhdojmë të punojmë me dinamikën e njëjtë, dhe besoj shumë që qeveria e re që po pritet të vie, do t’i ndryshojë politikat ndaj Gjilanit sepse përfundimisht ne me mjetet tona buxhetore dhe me ndihmën e qeverisë mund t’i zgjidhim problemet që ka sot Gjilani”, tha kryetari Haziri.

Banorët e Lladovës e Nasalës janë shprehur tejet të lumtur me këtë investim, duke thënë se që 15 vite po e presin asfaltimin e kësaj rruge.

“Unë si përfaqësues i fshatit, me kënaqësinë më të madhe e kam pritur ditën e fillimit të asfaltimit të rrugës së fshatit Nasalë. Me asfaltimin e kësaj rrugë, besoj shumë që banorët nuk do të shpërngulen sepse kanë mundësi të punojnë tokat e tyre, ta zhvillojnë blegtorinë, pemëtarinë etj. E falënderojmë shumë kryetarin Haziri që e mbajti premtimin e fushatës”, ka thënë nga ana e tij përfaqësuesi i fshatit Nasalë, Ruzhdi Selimi.

“Falëmnerit prej kryetarit Lutfi Haziri që po na e shtron rrugën. Na jemi kanë përherë pa rrugë, po sot jemi shumë të gëzuem. S’ka qysh ma mirë”, tha Raqip Emini, plaku rreth të shtatëdhjetave nga Nasala.

Projekti kap vlerën e afro 200 mijë eurove dhe po realizohet nga Komuna e Gjilanit në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës./2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.