Gjilan –(2LONLINE) – Pas rastit në shkollën fillore “Selami Hallaqi “ të Gjilanit kur prindërit e një klase nuk i lejuan fëmijët e tyre të hyn në shkollë me arsyetim se janë të pakënaqur me mësuesen që është përzgjedhur për t’i mësuar ata, tani një gjë e ngjashme po ndodh edhe në shkollën fillore të Llashticës.
Edhe pse sot po bëhen gati 10 ditë prej fillimit të vitit të t ri shkollor, prindërit e fëmijëve të një paralele të klasës së parë në shkollën “Esat Berisha” të Llashticës, po vazhdojnë të mos i dërgojnë fëmijët e tyre t’i mësoj njëra prej mësueseve të kësaj shkolle, të cilën ata e vlerësojnë të papërgjegjshme, duke dyshuar madje edhe në aftësitë e saja.
Mësuesja “e pa dëshiruar” vazhdon edhe më, të mbajë mësimin, por aktualisht vetëm me dy nxënës, në një paralele, e cila duhej ti kishte 11 nxënës, por nëntë prind refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre, thotë Afrim Veliu, njëri nga prindërit e revoltuar.
Ai thotë se as nuk e kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë, por kërkojnë një mësuese tjetër për fëmijët e tyre, të cilët me padurim kishin pritur për herë të parë të ulen në bankat shkollore, por që tani fatkeqësisht janë duke qëndruar në shtëpi.
Veliu, në emër të të gjithë prindërve, ka bërë me dije se e vlerësojnë mësuesen që është caktuar për fëmijët e tyre si të papërgjegjshme, por edhe të papërgatitur për çka, ai tha se kanë njoftuar tani edhe Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe kreun e komunës Qemajl Mustafa.
Duke iu referuar punës së deritanishme që e ka bërë mësuesja që refuzohet, Veliu thotë se e vlerësojnë të papërgjegjshme një mësuese që nuk respekton orarin, i lëshon orët shpesh, duke i lënë nxënësit vetëm, por edhe shprehin dyshimet se nxënësit që i ka mësuar deri më tani nuk e kanë nivelin e dëshiruar.
“Duam zgjidhje sa më të shpejtë. Një mësuese të re për fëmijët tanë. Kemi marrë premtime nga Drejtoria e Arsimit se një komision i tyre do të merret me rastin për të parë gjendjen dhe për të marrë masat e duhura që ne prindërit të marrim përgjigjen adekuate”, ka thënë Veliu për Portalin 2lonline.
Përndryshe, ai tha se kanë biseduar edhe me drejtorin e shkollës dhe mund të ndodh që sot ti dërgojnë fëmijët te mësuesja e paraleles tjetër, për t’i bërë bashkë me nxënësit që ka ajo, derisa sa të gjendet një zgjidhje.
Përndryshe, Veliu tha se nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje e shpejtë për ta do të rishikojnë edhe mundësitë tjera të shprehjes së pakënaqësisë së tyre, sepse nuk do të lejojnë të pësojnë fëmijët e tyre të cilët në vend se ti gëzohen ditës së parë në shkollë ata po rrinë në shtëpi,të mërzitur duke pyetur se kur do vije mësuesja e re, që të mund të nisin mësimin.
Përndryshe, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit Bujar Nevzati ka konfirmuar për 2lonline se është në dijeni për rastin dhe atje do të shkojë inspektorati i arsimit dhe se shpejtë do të shihet për çfarë bëhet fjalë dhe konformë asaj edhe do të ndërmarim masa që fëmijët të ulen në bankat e shkollës dhe prindërve t’u jepet përgjigja adekuate. /2lonline/