(2LONLINE) – U bënë tash disa ditë që kur rektori Ibrahim Gashi ka dhënë dorëheqje dhe demonstruesit vendosën me festue para rektoratit të shtunën suksesin e gati tri javëve, po them, protestuseve, rinisë sonë, mbase veç jeni nxehë, u dashtë dashtë me vazhdue protestën edhe ndaj RTK-së.
Skandali i radhës në këtë medium ditët fundit ishte përjashtimi nga puna I kryeredaktorit dhe redaktorit në pikë të ditës? Kjo tregon se as Radio televizioni Publik nuk i ka punët më mirë se sa Rektorati dhe Universiteti i Prishtinës „Hasan Prishtina“.
Në lajmet qendrore parë-mbrëmë 11.02.2014 e pamë RTK (surratin e dy ndërtesave, si në Afganistan) duke plasur letrën e EBU-së si temë të parë drejtuar krye-parlamentarit Jakup Krasniqi ku i ka thënë këtij të fundit dhe kuvendit që ta lënë rehat RTK-në, post i përzihen në punët e brendshme, të mos ndikojnë në pavarësinë editoriale e kështu me radhë. EBU, sipas meje është dashur tu dërgoj edhe një letër pos, qeverisë dhe një grupi të vogël 3-4 persona që e kontrollojnë RTK-në, është dashtë, padyshim ti dërgoj letër edhe drejtorit gjeneral e ta pyes çfarë politike ai po bënë në RTK, pse po i seleksionon lajmet, mysafirët dhe gjithë programin, jo sipas interesit publik, por prirjes dhe tendencës për të mbështetur oponentët e tij dhe ideologjinë e tyre. Shikuar sipas rezultateve ne terren, pikërisht krye-parlamentari dhe kuvendi, shumica e kuvendarëve të cilëve ju është adresuar letra, janë për një medium publik, por nuk mund ta bëjnë të tillë në praktikë, përderisa ekzistojnë kontrolluesit dhe eprorët e padukshëm që nuk e lënë të marrë frymë mediumi publik. EBU nuk e di ose i ka marrë vesh pak si vonë dallaveret e ditëve më parë, kur u shkarkuan redaktori Ridvan Berisha dhe kryeredaktori Behxhet Begu. Merreni me mend, shkarkimi nga detyra i redaktorit Berisha bëhet shkas pse ky udhëheq në mënyrë brilante gjithnjë edhe duke I ledhatur të fortët, por kësaj radhe mesa kishte ledhatur disi si shumë oponentët e Mentor Shalës.
Që RTk njëherë e mire të çlirohet nga zgjedha i duhet një protestë popullore (si për UP-në) dhe shkarkimin e stafit udhëheqës dhe ndërrimin komplet ë trurit politik, tek atëherë ka shpresë të rregullohen çështjet.
Si është gjendja tani: Në RTK, punësimi është bërë në të njëjtën metodë, siç është bërë gradimi shkencor në UP. Kontratat e bashkëpunimit me RTK-në janë bërë dhe po bëhen, siç bëhen në UP; me njohësi dhe Vitamin B. Nuk ka kritere për punësim as gradim në poste udhëheqëse. Nuk paguhen autorët apo bashkëpunëtorët që punojnë, rinia jonë, nuk mund të konkurroj për vend pune, sepse aty askush nuk mund të depërtoj, pa dhënë ryshfet dhe pa i korruptuar udhëheqësit e RTK-së, gjegjësisht menaxhmentin në krye me drejtorin gjeneral Mentor Shalën. Nuk ofrohen mundësi bashkëpunimi nga qendrat evropiane, nuk respektohen të drejtat e autorit e një varg problemesh tjera dhe tashmë askush nuk mund ta mohoj se në RTK, ashtu si në UP, nuk ka korrupsion. Qytetarët tanë nuk din p.sh. se si menaxhohen parat e buxhetit që inkason RTK për programin e vet. Edhe më keq, RTK është politizuar tej mase, madje as vet Parlamenti i Kosovës nuk e miratoi raportin e punës për vitin 2012, pra, themeluesi e mohon mediumin, drejton akuza të rënda ndaj tij dhe askush nuk përgjigjet për këtë gjendje të mjerueshme, askush nuk përjashtohet nga puna, askush nuk merren masa për këtë dështim.
Vet deputetët e thanë se Televizioni Publik ka dështuar ta kryejë misionin e tij informues. Ata pohuan se RTK është kapluar nga animi politik dhe punësimit mbi baza familjare” dhe kjo ka prodhur kuadro me njerëz me më pak shkollim dhe pa kritere profesionale, emisione të dobëta, të njëanshme. Në aspektin financiar thuhet se RTK i ka paguar disa borxhe, jepen shifra milionëshe, ndërsa problemi akut e i pazgjidhur mbetet financimi dhe definomi i pronës.
Në këtë kuptim, RTK nuk i ngjan më mediumit publik ,por vazhdon të goditet si top futbolli, sa nga një kënd, në këndin tjetër. Nuk ka para, nuk ka pavarësi, nuk ka hulumtim dhe gazetari investigative, prandaj, nuk mund të mbetet, medium i besueshëm ku mungojnë tema tabu. Nuk ka një redaksi editoriale me pavarësi të garantuar që të jep shpjegime të paanshme dhe kritike, pse jo edhe gjysmë-shkencore, për problemet e shumta në shoqëri; siç janë dhjetëra e qindra raste dhënie ryshfete për punësime, korrupsion, nepotizëm, klientelizëm, dhjetëra e qindra raste me skandale të barërave, dështime në operacione nga mjekët me diploma false dhe devijime tjera shoqërore. Vetëm grupet e forta politike dhe para-politike defilojnë në RTK, pa problem, reklamojnë produktin, biznese dhe diskursin e tyre ideologjik. Ndodhë, siç më rastisi të shoh një emision nga fusha e medicines, deri në ekstremitet të banalizohen paraqitjet gjoja profesionale, në “Prime Time”(Në kohën kur ka shikueshmëri më të madhe ose pak para lajmeve qendrore).
Me këtë nuk dua të bërë paragjykime, por po them se një medium publik nuk duhet edhe të bëhet gaz i botës, si një lloj nevojtore, veç pse mundet dhe ka hapësirë! Po pikërisht se nuk ka kontroll shoqëror mbi këtë medium, lejohen gjëra paradokse. Hapësira e mediumit publik keqpërdoret duke e mbushur me “analiza”, “reportazhe”, “opinione” e llafe , thashetheme e çka tjetër jo? Po kështu ose edhe më keq, kur përjashtohen redaktorët nga puna, pa ndonjë shkas, kjo nuk tolerohet, pasi tregon se, disa aty, e konsiderojnë RTK si pronë private. Këta, disa edhe pa shkollë fare, tash janë bërë të “epror” të gjithëpushtetshëm. Kanë role, “maska”, si tha njëri, në një intervistë; Tha jam, edhe folës i lajmeve, edhe producent edhe udhëheqës emisioni dhe mësimdhënës në universitet. Ndërsa, shumë kuadro në Kosovë dhe ato nga mërgata, të cilët posedojnë tituj shkencor nga universitetet e huaja, nuk kanë mund fare të kenë qasje për punësim edhe në forma bashkëpunimi. UP-ja ashtu si RTK-ja është ndërmarrje publike.
Përfund: RTK-ja duhet t´i ndajë shqetësimet e publikut, sepse është i publikut. Stafi i tij aktual duhet të ketë duart të lira në veprim, duhet të ndërpriten ndikimet politike dhe i grupeve të interesit, të ndërpritet diktimi i temave dhe agjendave raportuese nga jashtë.
RTK-së duhet të krijoj hapësirë të barabartë për kuadrot dhe eksperiencat e tyre të shumta që kanë profesionistë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, që të gjithë bashkë të ofrojnë eksperiencën e tyre për ta ngritur dhe mirëmbajtur televizionin publik. Mediumi publik nuk duhet ta katandisim në një vend të mirë për punësim të simpatizantëve partiak apo anëtarëve të familjes. A duhet t ´i thuhet Mentorit “HUP”! Besoj se po, por kërkesa me shkrim nuk mjafton. Duke njohur mentalitetin tonë bunkerizues, besoj se, ai dhe shokët e tij nuk lëshojnë pe, as për një milimetër, prandaj, protesta duhet vazhduar edhe para RTK-së, si para rektoratit, për ta ndryshuar gjendjen në terren. Këta, Mentori me shokë, vetvetiu, ashtu siç janë zgjedhur, kurrë nuk ikin prej aty pa i ndjekur nga mbrapa.
Ka ardhur koha, mbase vlerat dhe rendi nuk po respektohen, atëherë protestat e kanë radhën./2lonline/
Zejnullah Jakupi