/2L ONLINE/ – As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk e do këshilltarin e vetëm serb Srgjan Mitroviqin, të jetë i pranishëm në seancën e 28 janarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit. Siç dihet, me vota të kuvendarëve, Mitroviq ishte përjashtuar nga seanca e kaluar . Në atë seancë, Kuvendi Komunal i Gjilanit kishte përjashtuar nga mbledhja këshilltarin Srgjan Mitroviq, për shkak të emërimit të tij në strukturat paralele të Serbisë dhe refuzimit që të deklarohet nëse i njeh institucionet dhe ligjet e Kosovës, sipas të cilave ai është zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal.
Shumica e këshilltarëve komunalë e kishte kushtëzuar pjesëmarrjen në seancë nëse Mitroviq nuk sqarohej rreth këtij rasti, apo nuk largohej nga seanca. Pas disa pauzave, kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila i kishte dhënë mbështetje kësaj kërkese të këshilltarëve komunalë, sipas rregullores e kishte nxjerrë në votim rastin e Srgjan Mitroviqit dhe Kuvendi, me 29 vota për, kishte vendosur përjashtimin e tij nga seanca.
Lidhur me këtë, Selami Xhemajli shef i grupit të Këshilltarëve të AAK-së në Asamblenë Komunale të Gjilanit ka thënë se në AAK insistojnë edhe më tutje që Srgjan Mitroviq nuk mund të jetë pjesë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, derisa të sqarohet mirë çështja e tij, duke përfshirë pra edhe seancën që do të mbahet këtë të enjte.
“Ne insistojmë edhe më tutje qē Mitroviq nuk mundë të jetë pjesëmarrës në punën e Kuvendit Komunal, përderisa nuk kemi një përgjigje nga MAPL dhe KQZ lidhur me statusin e tij si pjesëtar i strukturave paralele te Serbisë”, ka thënë për Portalin 2LONLINE, Xhemajli i AAK-së.
Përndryshe, Xhemajli ishte ai që në seancën e kaluar kishte kërkuar që Sergjan Mitrobviq të deklarohet para Kuvendit për këtë çështje dhe, siç kishte thënë ai, nëse është e vërtetë ajo që është thënë në publik se Mitroviq është pjesë e strukturave paralele, ky është një hap që duhet të dënohet.
“ Mitroviq si akt moral duhet të jep dorëheqje ose duhet të shkarkohet nga Kuvendi sepse nuk mund të jetë pjesë e strukturave ilegale të një shteti tjetër, t’i përfaqësojë interesat e Serbisë. Për më tepër ai duhet ta dijë se ëndrrat e tij për Serbinë në Kosovë kanë përfunduar më 1999”, kishte thënë Xhemajli. /2L ONLINE/