“Arti minimal” – i Florent Bucës, art që po e thyen karantinën!

“Arti minimal” – i Florent Bucës, art që po e thyen karantinën!

Arti i Florent Bucës as nuk vet-izolohet as nuk mund të izolohet, por ai shpërthen vrullshëm, bile edhe në kohë pandemie, për t’u shpërfaqë në variantin më të mirë të mundshëm që e shprehë mendja e tij kreative.

Hashtagi “rrinshpi” shumë i përdorur kohëve të fundit, dikujt po i shërben bukur mirë që duke qëndruar në shtëpi në këtë kohë pandemie, të jetë më i përkushtuar në punë profesionale.

Njëri nga ta është edhe artisti vizuel nga Gjilani, Florent Buca, i cili inspirimin e tij po e gërsheton në punime artistike, përmes të cilave po e nxjerrë në pah këndvështrimin e tij për shumë çështje preokupuese që lidhen me përditshmërinë tonë, me zhvillimet sociale e politike në vend, por edhe me ‘art të butë’ e ‘minimal’, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Nga perspektiva e tij profesionale e fushës se dizajnit, Buca po e promovon punën e tij artistike përmes punimeve që po i plason në rrjetet sociale. Ai edhe tani po vazhdon me prezantimin e punimeve si pjesë e ciklit ‘arti minimal’.

Ne edhe ditë më parë kemi shkruar dhe prezantuar disa punime (shih shkrimin “Art nga “Karantina” – Magjitë e artistit Florent Buca”) por kësaj here Portali 2LONLINE.com ka vendosur t’i sjellë për publikun tri punimet më të fundit dhe shkurtimisht edhe interpretimin për to. Janë këto punimet artistike: “Kujtime fëmijërie”, “Përtej dritareve të çdo zemre” dhe “Lomshi”, transmeton 2LONLINE.com.

“Kujtime fëmijërie”,

Me anë të këtij punimi autori ka shprehur nostalgjinë për kohën e fëmijërisë, në epokën kur digjitalizimi nuk ka ekzistuar. Në këtë punim përmes ‘artit minimal’ shprehet thjeshtësia e lojës dhe çiltërsia e saj. Ajo bëhej në fushat e gjelbëruara tok me shokët e shoqet e lagjes. Sepse erërat ishin të mirëseardhura. Ato mundësonin gëzimin e garimit në lojën tonë. Ngjyrat bardhë e zi, simbolizojnë rikthimin ne kohe, retron.

“Përtej dritareve të çdo zemre”

Gjithashtu punimi “Përtej dritareve te çdo zemre”, në kuadër të ciklit ”arti minimal”, simbolizon thjeshtësinë e emocionit më të fortë, dashurinë. Akti i paraqitur ne ilustrim, është në nderim të ditës ndërkombëtare teë nënës. Dhe, ku më mirë se në mënyrë minimale, por me dashuri maksimale shënohet kjo ditë. Autori zgjodhi këto dy ngjyra për të bërë kontrastin më të madh, dhe se dyti, sepse ne të gjithë e dimë qe e kuqja është ngjyra e dashurisë. Punimi sjell “soditjen” nga dritarja në një natë të zakonshme pranvere.

“Lomshi”

Punimi ‘lomshi’ ka koncept të gjerë përfshirjeje, duke filluar nga përditshmëria jonë, e deri tek planifikimet afatgjate. Ngjyra e kaltër simbolizon qiellin, qetësinë dhe pastërtinë e tij. Ndërkaq njeriu kokulur duket mendueshëm, në ecjen e tij përgjatë perit, i cili ne këtë rast është rrugë. Zbërthimi i “lomsh-it”, tregon evoluimin dhe gatishmërinë psikologjike si dhe përpjekjen emocionale të njeriut për t’u përballur me sfidat e vazhdueshme. /2LONLINE.com/


 

KOMENTE