Kush mbron fajtorin tërheq akuzën mbi vete – /Publil Sir/
Shkruan: Ismajl KURTESHI
/2L ONLINE/ – Marrëveshja e nënshkruar me 25 gusht në Bruksel nuk e la të paprekur as fushën e arsimit, si njërën nga fushat më të rëndësishme të shoqërisë. Për kundër faktit që sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit në Qeverinë e Kosovës është përgjegjëse për çështje të arsimit në tërë Kosovën.
Sipas marrëveshjes së 25 gushtit të nënshkruar në Bruksel nga Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, në pikën 4 c. thuhet: Asociacioni e ka nën kontroll të plotë arsimin. Kjo do të thotë se edhe formalisht nga niveli parashkollor deri në universitet përjashtohet nga vendimmarrja dhe kontrolli Ministria e Arsimit dhe çdo institucion tjetër i Republikës së Kosovës që e financon arsimin në gjuhën serbe.
Në praktikë gjendja është kështu:
Shkollat në gjuhën serbe punojnë me Kurrikulën e Serbisë, tekstet shkollore shtypen në Serbi, në ato tekste Republika e Kosovës prezantohet si krahinë e Serbisë, shqiptarët si armiq të serbëve dhe gjendja ekzistuese si e përkohshme, sepse Serbia, sipas këtyre teksteve me të cilat edukohet gjenerata e re, për shkollimin e të cilëve paguajnë taksapaguesit shqiptar të Kosovës, shpejt do të kthehet në Kosovë.
Këto tekste përdoren pa pengesë edhe pse me Ligjin nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës,në Neni 12, Arsimimi në Gjuhën Serbe, pika 12.2 thuhet: Shkollat të cilat japin mësim në gjuhën serbe mund të përdorin plan programe apo tekste shkollore të hartuara nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë pas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës.
Sipas pikës 12.3 Plan programet apo tekstet shkollore përkatëse të Republikës së Serbisë nuk do të përdoren për mësimdhënie para njoftimit të MASHT-it; nëse pas këtij njoftimi, MASHT-i brenda tre muajve nuk paraqet ndonjë kundërshtim (në mënyrë që t’i ofrohet kohë e
mjaftueshme Ministrisë të shqyrtoj plane programet apo tekstet shkollore në fjalë), ai material mund të përdoret.
Kurse pika 12.4 sqaron se në rast të paraqitjes se kundërshtimit nga ana e MASHT-it për përdorimin e ndonjë plan programi apo teksti shkollor të caktuar në gjuhën serbe, çështja i dërgohet komisionit të pavarur, i cili themelohet në bazë të nenit 13 të këtij ligji, për të shqyrtuar plan programin apo librin shkollor në fjalë, për të siguruar përputhshmërinë e tij me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi. Plan programi mësimor i caktuar ose teksti shkollor nuk mund të përdoren për mësimdhënie pa vendosur komisioni i pavarur. Kështu ishte gjerë më tani edhe pse Ministria e Arsimit nuk i ka penguar tekstet që vërtet janë të papranueshme dhe të dëmshme për gjeneratat e reja që po rriten në këtë vend sepse përmes të një pjese të këtyre teksteve po përhapen të pavërteta për Kosovën dhe shqiptarët.
Kuadri mësimor për shkollat në gjuhën serbe rekrutohet nga autoritetet serbe, ata nuk i nënshkruajnë kontratat e punës me Drejtorit Komunale në të cilat qëndron logoja e Republikës së Kosovës, edhe pse furnizimin dhe mirëmbajtjen e shkollave si dhe rrogat paguhen nga Buxheti i Kosovës.
Shkollat me mësim në gjuhën serbe dhe Drejtorive komunale të Arsimit të komunave me shumicë serbe nuk i raportojnë Ministrisë së Arsimit, për punën e tyre dhe nuk pranojnë të inspektohen nga këto autoritete të shtetit të Kosovës. Drejtorët e shkollave me mësim në gjuhën serbe nuk marrin pjesë në mbledhjet e organizuara nga drejtorit e arsimit nëpër komuna ku drejtorët janë shqiptarë. Kosova është i vetmi vend ku punëmarrësi nuk i jep llogari punëdhënës, kjo situatë e ka vetëm një emër, kjo është papërgjegjësi e institucioneve të Kosovës.
Numri i mësimdhënësve dhe punëtorëve teknik në shkollat me mësim në gjuhën serbe, për kokë nxënësi është shumë më i madh se në shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Ka raste kur punëtorët që për arsye të ndryshme largohen nga procesi mësimor në këto shkolla, nuk hiqen nga lista e të ardhurave personale për kohë të gjatë. Edhe kur zbulohen këto raste të keqpërdorimit të buxhetit askush nuk thirret në përgjegjësi.
Mësimin në gjuhën amtare të nxënësve të pakicave kombëtare e garanton Kushtetuta e Kosovës. Mësimi i gjuhës, historisë dhe kulturës kombëtare të pjesëtarëve të secilit komunitet është i drejt dhe nuk kontestohet, por të gjitha tejkalimet e tjera që u theksuan më lart janë të dëmshme për Shtetin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj, prandaj kjo gjendje duhet të ndryshoj.
Por në vend të përpjekjes për ta ndryshuar rrënjësisht këtë gjendje, Qeveria e Kosovës e nënshkroi Marrëveshjen, që përveç tjerash, do ta ndaj sistemin arsimor në baza etnike, që do të prodhojnë mosmarrëveshje serioze ndër etnike.
Nëse shkolla është e ndarë, nëse kopshtet janë të ndara dhe me varësi nga autoritete të ndryshme. Nëse shkollat me mësim në gjuhën serbe janë të lidhura me Shtetin Serb, të njohur për ndërtimin e politikave armiqësore ndaj shqiptarëve dhe pretendimet territoriale ndaj Kosovës, dihet se në ato shkolla do të përgatiten gjenerata që do ta urrejnë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Nëse lejohet një gjë e tillë atëherë konfliktet e reja në këtë rajon do të jenë të paevitueshme. E kjo nuk i nevojitet as qytetarëve të Kosovës as atyre që jetojnë në shtetet për rreth nesh.
Përgjegjësinë për pasojat që derivojnë nga kjo politik agresive e bart Serbia bashkë me ata që po e lehtësojnë ose s’paku po e tolerojnë këtë politik që shumë herë e ka trazuar Ballkanin por jo vetëm Ballkanin. /2L ONLINE/
/Kurteshi, është deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/