Pavarësisht se tri subjektet politike të Bllokut, LDK-AAK-Nisma kanë dhënë dritën jeshile se do ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar Kuvendi, Partia e Hashim Thaçit nuk e ka në plan të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive pa pasur një marrëveshje politike.
Por, megjithatë PDK-ja duke pritur për një marrëveshje të mundshme ka edhe një kandidat për kryeparlamentar.
Bajram Rexhepi ka deklaruar për “Zërin” se PDK-ja pritet që sërish t’ia japë besimin Arsim Bajramit.
“Nuk ka asnjë ndryshim deri më tash dhe mendoj se Arsim Bajrami e meriton të jetë kryetar Kuvendi”, ka thënë Rexhepi.
Por, partia e Hashim Thaçit vazhdon të insistojë se vetëm një marrëveshje ndërmjet liderëve të partive politike do të mundë të zgjidhë ngërçin politik.
Rexhepi ka deklaruar se liderët politikë mund ta zhbllokojnë situatën vetëm përmes komunikimit.
“Një takim i përbashkët I liderëve do të ishte mundësia më e mirë që të zgjidhet kriza politike. Çështja e zgjedhjes së kryeparlamentarit është pozitë që na takon neve në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të dala më 8 qershor, por edhe sipas aktgjykimit të Kushtetueses”, ka thënë Rexhepi.