Arroganca, mashtrimi dhe manipulimi është bërë stil jete i qeverisjes komunale LDK- AAK

Arroganca, mashtrimi dhe manipulimi është bërë stil jete i qeverisjes komunale LDK- AAK

Grupi i këshilltarëve të PDK-së, e ka siguruar VLERËSIMIN E LIGJSHMËRISË së aktit të komunës – Vendimit 01 Nr. 016- 41543 datë 05.06.2020 për aprovimin e revidimit të pjesshëm të Planit Rregullues Urban “Qendra Zona 1” në parcelat nr. 03872-0 dhe 03878-0 ZK Gjilan.

Nga: Riza Abdyli    
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Ky vendim, ishte nxjerr nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, me qëllim që t’i mundësohet Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan ndërtimi i një objektit administrativ (siç thuhej vazhdimisht) por, pa ia shpjegue Kuvendit të Komunës nevojën e domosdoshme për një objekt të tillë, pa projekt të qartë ideor dhe pa prezantim e pa diskutim të gjerë publik ashtu qysh e parasheh ligji dhe procedurat për planifikim hapësinor të Republikës së Kosovës.

Pavarësisht që dega e PDK, bashkë me pjesën tjetër të opozitës, ishte e zëshme dhe e qartë në shkeljet ligjore që po i bënte në vazhdimësi kryetari dhe kryesuesja e kuvendit, këta të fundit me arrogancë dhe me fuqinë e votave të këshilltarëve të dëgjueshëm ia propozuan kuvendit këtë vendim i cili edhe e miratoi me dëgjueshmëri të padurueshme dhe fyese për logjikën e një këshilltari normal i cili e ka marë besimin e qytetarëve që ta ruaj, mbrojë dhe ta avancojë interesin e tyre por, jo ta bëjë pikërisht të kundërtën.

Që nga fillimi, ne, dega e PDK, e thamë qartë se kjo “lëvizje taktike” e Lutfi Hazirit dhe poltronëve të tij në KK, ishte thjeshtë një akt popullist për ta fituar admirimin e Bashkësisë Islame (BI) të komunës në stilin e klientelizmit tradicional të Kosovës të 20 viteve të fundit e që është “Unë ty, ti mua”!

Jemi të sigurtë që BI e Gjilanit e ka kalue shumë moti moshën e “adoleshencës e të rinisë” dhe nuk bie në këso provokime meskine sepse ky komunitet ka dijtë me bë historikisht punë të mira, të mbara e të qëndrueshme për komunën e për kombin. Jemi të sigurtë që në BI, siç kishte përherë, edhe sot ka plotë burra e gra të cilët dijnë me e nda qartë dhe me kohë “shapin nga sheqeri”.

BI e ka mirënjohur përherë punën e përkushtueme dhe të mbarë të Partisë Demokratike të Kosovës – dega në Gjilan edhe kur ishte në qeverisje por edhe në opozitë. Në fakt, ne ekzistojmë vetëm e vetëm për me i bë zgjidhje secilit qytetar, secilës familje e secilit organizim të komunës por vetëm në baza ligjore dhe në funksion të interesit të përgjithshëm qytetar. Asësesi ndryshe.

Edhe ne kemi nevojë për votën e sejcilit qytetar dhe të sejcilit besimtar por, jo me kushtin e rrënimit të planifikimit hapsinor të komunës dhe të pengimit të zhvillimit të harmonishëm e përspektiv të saj.

Pasiqë dega e PDK e bëri kërkesën në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), kjo ministri, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës, vlerëson se AKTI I KOMUNËS ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME DISPOZITAT E LEGJISLACIONIT NË FUQI, ashtu siç e kishim thënë ne disa herë para dhe gjatë seancës së datës 05.06.2020.

Sipas vlerësimit të dhënë nga kjo ministri, akti i komunës është në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapsinor Nr. 04/L-174, pasi që ky ligj nuk parasheh ndryshimin e pjesshëm të dokumenteve të planifikimit hapësinor, dhe se nuk lejohet destinim tjetër apo shfrytëzueshmëri tjetër nga ajo që është paraparë me dokumentet e planifikimit hapësinor të miratuara në nivelin lokal.

Ne nuk ishim asnjëherë kundër ndërtimit të objektit administrativ të Këshillit të Bashkësisë Islame (nëse vërtetë kjo është nevojë e tyre) por, ne ishim kundër veprimeve të kundërligjshme, mashtrimeve dhe arrogancës së pushtetit sepse:

1. Ky pushtet, e dinte saktë se një veprim i tillë do të bie ndesh me legjislacionin në fuqi për planifikim hapsinor të Republikës së Kosovës dhe

2. Duhet ta dinte (edhepse pak e besojmë që e kishin lexuar) se afërsia e këtyre dy parcelave me Muzeun e Qytetit apo objektin e Kajmekamllakut, e bënë të pa mundur që Këshilli i Bashkësisë Islame dega në Gjilan të pajiset me leje ndërtimore nga urbanizmi, pasi që objekti i Muzeut të Qytetit është monument arkitektural nën mbrojtje të përkohshme dhe ka një zonë të mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit.

Përkundër këtyre pengesave të patejkalueshme ligjore, kryetari Haziri dhe kryesuesja Kurteshi, me kokëfortësi dhe arrogancë e bëjnë procedimin për miratim në Kuvendin Komunal e që siç po e shihni, rezultoi me refuzim nga MEA dhe me rekomandimin që brenda 30 ditësh, KK ta korrigjojë gabimin e bërë dhe ta anulojë vendimin në fjalë ashtu qysh ishte detyruar kohë më parë ta bëjë në rastin e cënimit drastik të planeve rregulluese “Qendra2”, “Qendra 3” dhe “Lagja e Spitalit”. Çka është edhe më keq, urbanizmi ka dhënë edhe leje ndërtimore bazuar në këto shkelje të planeve rregulluese e që do të thotë se hetuesitë do të kenë shumë punë me këtë qeverisje në ditët që vijnë sepse komuna e Gjilanit doemos duhet të bëhet komunë normale dhe shteti i Kosovës duhet të bëhët shtet normal dhe i të gjithëve.

Kryetari dhe kjo qeverisje e katandisur e LDK me AAK, nuk i kanë shkelur vetëm këto katër plane rregulluese por, ata kanë shkelur edhe planet e tjera sa herë që ndonjë klient i tyre ka kërkue që të bëhen ndryshime të jashtëligjshme në këmbim për mbledhjen e votave dhe të parasë nga krimi e korrupsioni. E kanë bërë dhe po e bëjnë këtë në njërën anë për tu pasuruar vet e në anën tjetër për ti financuar fushatat e për ti joshur votuesit për të mbetur edhe më tej në pushtet.

Grupi i këshilltarëve të PDK qysh nesër do ta bëjë kërkesën zyrtarë në sekretarinë e KK për ta anuluar vendimin 01 Nr. 016- 41543 të datës 05.06.2020. Për përmbajtjen e kësaj kërkese publiku do të njoftohet me kohë poashtu.

KOMENTE