(2LONLINE) – Ndërmarrja Publike Lokale NLP “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. në Gjilan, ka organizuar të hënën një tryezë në të cilën është diskutuar për afarizmin e kësaj ndërmarrje, sfidat dhe planet për të ardhmen. Theksi i kësaj tryeze është vënë në domosdoshmërinë që komuna dhe AKP-ja të arrijnë një marrëveshje për të eliminuar pengesat që po e rëndojnë këtë ndërmarrje me borxhet e trashëguara në periudhën kur kjo menaxhohej nga AKP-ja por edhe bartja e aseteve edhe ligjërisht tek komuna përkatësisht NLP-së “Stacioni i Autobusëve” Sh.A, por edhe çështje të tjera që ndikojnë për një afarizëm të mirë të kësaj ndërmarrje.
Avni Hajrullahu drejtor i NLP “Stacioni i Autobusëve” e ka vlerësuar këtë tryezë si të frytshme pasi është debatuar hapur me të gjithë akterët që ndërlidhen edhe me afarizmin e kësaj ndërmarrje, Ai tha se kanë qenë prezentë dhe kontributdhënës përfaqësues të institucioneve komunale , të drejtorive përkatëse që kanë të bëjnë edhe me këtë fushë veprimtari, pastaj përfaqësues të Ministrive përkatëse, përfaqësues të stacioneve të autobusëve të disa komunave, të AKP-së dhe të ftuar të tjerë.
Hajrullahu ka thënë se qëllim i kësaj tryeze ka qenë nxjerrja në pah edhe njëherë e problemeve që rëndojnë këtë ndërmarrje pas kalimin nga një ndërmarrje shoqërore në atë publike lokale, si dhe gjetja e mënyrave për ti eliminuar ato me qëllim që të kemi ngritje të efikasitetit të kësaj ndërmarrje në afarizmin e mëtutjeshëm të saj si ndërmarrje publike lokale, qysh po funksionon tani e sa vite në bazë të ligjeve përkatëse.
Si problematike Hajrullahu i sheh borxhet e trashëguara të grumbulluara nga e kaluara kur ndërmarrja funksiononte si shoqërore e ishte nën menaxhim të AKP-së borxhe këto pra prej paslufte e deri më 2006, ndaj Administratës Tatimore të Kosovës .
Ai tha se një marrëveshje mes komunës dhe AKP-së ku do të përfshihej kjo çështje, por edhe ku asetet e kësaj ndërmarrje nga AKP do të kalonin te komuna si aksionar I Ndërmarrjes Publike Lokale “ Stacioni I Autobusëve” , do të ishin hapa pozitiv që do të ndikonin në afarizmin e tanishëm të kësaj ndërmarrjeje.
Përndryshe, Hajrullahu tha se tani kur kjo ndërmarrje funksionon si ndërmarrje publike lokale punët dalëngadalë po bijnë në binarë por evitimi i këtyre problemeve që po e rëndojnë këtë ndërmarrje është domosdoshmëri që do të ndikonte për të mirë për afarizëm të NPL “Stacioni i Autobusëve”, dhe në këtë drejtim AKP-ja mund të jep kontributin e saj të madh, pra edhe me marrëveshjen me komunë.
Përndryshe, ai tha se nga të gjithë të pranishmit qoftë përfaqësues të institucioneve lokale , qoftë të atyre qendrore u pa një gatishmëri për të kontribuar në këtë drejtim për çka e vlerëson inkurajues tryezë.
Ndërsa, Gëzim Kllokoqi, zyrtar i lartë financiar në NLP “Stacioni i Autobusëve” , ka elaboruar më gjerësisht në temën “Afarizmi i NPL “Stacioni I Autobusëve ” Sh.A.gjatë vitit 2013, sfidat dhe planet e mëtutjeshme”.
Edhe sipas tij, borxhet ndaj administratës tatimore dhe kontestet gjyqësore– Borxhet e trashëguara nga ish KTP “Kosovatrans” paraqesin një sfidë për NLP “Stacioni i Autobusëve” , në rast se nuk arrihet marrëveshja në mes të AKP-së dhe Komunës.
Kllokoqi ka folur pastaj për veprimtarinë konkrete të kësaj ndërmarrje, për infrastrukturën ligjore mbi të cilën e ushtron veprimtarinë, për strukturën organizative, duke thënë se NPL“Stacioni I Autobusëve ” Sh. A, ka përgatitur strukturën organizative e cila përputhet me strategjinë zhvillimore sepse rolet dhe përgjegjësitë janë të specifikuara mirë. Struktura e përgatitur ka prodhuar efikasitet në perspektivën e menaxhimit të ndërmarrjes përkundër stafit me moshë të vjetër
Sipas tij, NPL” Stacioni I Autobusëve ” Sh.A, operon me 20 punëtorë. 14 punonjës janë meshkuj, 6 punonjës janë femra dhe nga numri i tërësishëm të punësuarve 2 janë Magjistër, 4 me përgatitje të lartë superiore, 1 me Shkolle të lartë, 11 prej të punësuarve kanë përgatitje të mesme shkollore dhe 2 prej tyre kanë përgatitje të ulët shkollore.
Ai ka dhënë edhe një pasqyrë të gjendjes financiare dhe rezultatet ndërsa ka folur edhe për sfidat dhe synimet për të ardhmen. /2lonline/