Arrihet marrëveshja mes LDK-së e AAK-së

(2LONLINE)  – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) , do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në Gjilan  pasi  është arritur marrëveshja mes këtij subjekti politik dhe LDK-së partisë fituese. Kryetari i Komunës së Gjilanit  Lutfi Haziri ka bërë publike marrëveshjen e tillë  e cila rezulton me atë se AAK-së do ti jepet posti i nënkryetarit të komunës dhe  udhëheqja me dy drejtori komunale.

Në një konferencë të përbashkët  të  kreut të komunës Lutfi Hazirit  dhe të kryetarit të AAK-së, Dega në Gjilan, Rexhep Kadriut, u bë e ditur se kjo marrëveshje  përfshinë  postin e nënkryetarit të komunës, e që do të jetë vet kryetari i AAK-së Rexhep Kadriu, që do ta marr këtë post si dhe dy drejtoritë, ajo e Administratës dhe e Shërbimeve Publike, që do të  gdhihen nga kuadrot e AAK-së.

Me këtë rast, kreu i komunës Lutfi Haziri ka thënë se  janë marrë vesh në parim për ndarjen e angazhimeve dhe përgjegjësive dhe Aleanca  në këtë drejtim e merr nënkryetarin dhe dy  drejtori si dhe po ashtu janë vendosur parimet e qeverisjes dhe agjenda e qeverisjes për qytetarin.

Sipas Hazirit kjo marrëveshje  është interes i përbashkët  për të qeverisur me duart të pastra, do të jetë një qeverisje transparente  e me dyer të hapura, një qeverisje që do të bëhet për interesin e qytetarëve të komunës së Gjilanit.

Nga ana e tij, Rexhep Kadriu, kreu  i AAK-së dhe nga tani edhe nënkryetar i komunës,  e ka vlerësuar si të veçantë arritjen e kësaj marrëveshje.

Ai tha se  kjo marrëveshje është bërë për interes të qytetarëve të komunës së Gjilanit sepse Gjilani realisht për shumë vite ka mbetur mbrapa në zhvillim, andaj AAK ka shprehur gatishmërinë t’i bashkëngjitet kryetarit  Haziri ,  për të ecur bashkë, për të punuar bashkë për të mirën e qytetarëve dhe që të gjithë ato premtime të bëra nga të dyja palët të realizohen gjatë këtij mandati

Përndryshe, kreu i komunës Lutfi Haziri kaq bërë me dije se marrëveshje të tilla janë realizuar edhe me PSD-në edhe atë pa kushte dhe në ditën në vijim pritet formalizimi edhe i marrëveshjeve me partinë turke –  KDTP,  dhe Partinë e Drejtësisë – PD.

“Ne sot e tutje kemi një stabilitet institucional në përkushtimin tonë të përbashkët  për ti realizuar qëllimet në shërbim të qytetarëve”, ka thënë Haziri. / 2lonline/

KOMENTE