Imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi është arrestuar sot në orët e para të mëngjesit. Burime të besueshme brenda Policisë së Kosovës i kanë konfirmuar portalit koha.net se hoxha është arrestuar.
Nuk dihet ende për motivet e sakta të arrestimit të tij. Por emri i tij është përfolur në të kaluarën shpeshherë për nxitje të ekstremizmit islamik.
Koha.net mëson nga burime të sigurta, se pos hoxhës Shefqet Krasniqi janë arrestuar edhe disa persona të tjerë. Aksioni është duke vazhduar.
Nga ana tjeter, Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës tha për Express se deri tash asnjë zyrë për informim e këtij institucioni nuk ka informacion që është arrestuar Shefqet Krasniqit. “Në momentin që kemi diçka do të dërgojmë komunikatë”, ka theksuar ai.
Javë më parë, Polica e Kosovës ka arrestuar më shumë se 40 të dyshuar për terrorizëm, nga të cilët para pak ditësh disa janë liruar për mbrojtje në liri, me detyrimin që të paraqiten në Polici.
Për ta ka dyshime se kanë marrë pjesë ose po tentonin t’i bashkoheshin grupeve terroriste islamike, si ISIS e Al Nusra, në Siri e Irak.