/2L ONLINE/ – Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë në të cilën janë gjetur 11 revole. Në një komunikatë për media thuhet se i dyshuari B.M është arrestuar ndërsa ka konfiskuar revolet e gjetura në veturë. “Policia e Kosovës respektivisht njësia patrulluese kufitare, me datën 29 mars rreth orës 14:10, gjatë implementimit të një plani operativ policor, në afërsi të udhëkryqit Pogragjë – Stublinë – Dobrosin ka ndalur veturën VW Pasat, ngjyrë hiri, me targa BU-XXX-SR, të cilën e drejtonte i dyshuari: B. M. (1991) nga Gjilani dhe gjatë kontrollit është vërejtur se i njëjti në automjet po transportonte armë”, thuhet në komunikatën e policisë. Policia bën të ditur se në veturë ka gjetur njëmbëdhjetë (11) revole, prej tyre : pesë Ekol Tuna dhe gjashtë revole Ekol special 99 si dhe municion për këto revole. “Pas konsultimit me prokurorin kompetent është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit. Armët, municioni dhe vetura janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit i është caktuar masa ndalimit për 48 orë për vazhdim të procedurave tjera ligjore”, thuhet në komunikatë. /2L ONLINE/