Zëvendëskryetari i Partisë Radikale serbe, Nemanja Sharoviq është arrestuar sot me urdhrin e Prokurorisë së lartë në Beograd dhe momentalisht ai po pret të merret në pyetje në pallatin e Drejtësisë për shkak të fletëparaqitjes penale të bërë kundër tij për arsye të djegies së flamurit të “Republikës së Kosovës”, njoftoi partia e tij.
Paraqitja kundër Sharoviqit është deponuar për arsye të djegies së flamurit të Kosovës në protestën që partia e tij e kishte organizuar në muajin prill, me rastin e nëshkrimit të marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Daçiqit dhe Thaçit.
Sipas këtij funksionari të radikalëve serbë, prokuroria ka pranuar “të bëhet topuzi i pushtetit”, sepse “shikuar juridikisht, djegia e një paçavure të pavlefshme, të cilën prokuroria e quan ‘Republika e Kosovës’, nuk mund të klasifikohet si vepër penale Cenim i autoritetit të një shteti të huaj apo një organizate ndërkombëtare, për çka akuzohet”.
Partia e tij ka reaguar ashpër dhe e ka quajtur këtë akt politikë tradhtie e regjimit kundër radikalëve serbë, “të cilët nuk do të ndalen të luftojnë kundër kësaj politike tradhtare dhe rrugës humbëse drejt BE-së, në të cilën po na shtyjnë me çmimin e shkatërrimit të Serbisë”, thuhet në kumtesën e Partisë Radikale.