Arrestohen tre persona të dyshuar për krim të organizuar, sekuestrohet pasuri mbi një milionë euro
KOMUNIKATË E PËRBASHKËT NGA POLICIA E KOSOVËS DHE PROKURORIA SPECIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Prishtinë, 25 nëntor 2026 – Në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nën udhëhejqen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të mërkurën më 25.11.2026 hetuesit nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, kanë zhvilluar një operacion policor, të mbështetur edhe njësitë tjera hetuese, Njësitë Speciale (FIT) dhe AKI– ja, në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Ky aksion, është realizuar në katër lokacione të ndryshme, ku si rezultat janë arrestuar në flagrancë tre persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale:
• “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”,
• “Mashtrimi” dhe
• “Shpëlarja e parave”.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:
• 19 vetura;
• 1 motoçikletë;
• 6 telefona;
• 5 kompjuterë;
• 6 USB;
• 4,095.00 euro para të gatshme;
• 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike;
• Dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Nga hetimet e deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se tre personat e arrestuar, përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike, kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, të cilët, i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre. /2LONLINE/
