Arrestohen dy të dyshuar për posedim të narkotikëve
Policia e Kosovës në dy raste të ndara, në rajonin e Prishtinës, ka identifikuar dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale me narkotikë, si dhe ka sekuestruar provat materiale përkatëse.
Rasti 1. Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), në Prishtinë, pas një pune intensive-operative në terren, me datën 04.05.2025 ka arritur tek informacionet se i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se ka në posedim një sasi të substancave narkotike të llojit kokainë dhe marihuanë.
Pas trajtimit të informacioneve lidhur me këtë rast, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, njësitë kompetente policore kanë kryer kontroll të objektit ku jeton i dyshuari i lartcekur, me ç’rast, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar:
- 1 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 4680 gramë,
- 1 qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 3880 gramë,
- 1 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 5.34 gramë,
- 1 telefon,
- dy peshore digjitale,
- një armë zjarri me karikator dhe 15 fishekë,
- një çantë me dokumente,
- 4 x 200 euro dhe 1 X 100 euro,
- 6 orë të dorës të markave të ndryshme,
- 3 kartela të telefonit,
- 3 kartela bankare,
- një pasaportë,
- 2 DVR,
- dokumente të ndryshme,
- një veturë.
Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ dhe i njëjti me vendim është ndaluar për 48 orë.
Rasti 2. Me datën 04.05.2025, rreth orës 16:20 në Prishtinë, një zyrtar policor derisa ishte në lëvizje me veturë jashtë detyrës zyrtare, ka vërejtur një person të dyshuar në veturë, duke konsumuar marihuanë, i cili është ndaluar nga zyrtari policor.
Lidhur me rastin njësitë përkatëse policore kanë vazhduar me procedurat përkatëse dhe tek i dyshuari pas kontrollit janë gjetur dy qese dhe një cigare të dyshuara për narkotikë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 108.4 gramë. Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, ku gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Pas të gjitha veprimeve të ndërmarra, me vendim të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ nga neni-269dhe i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë. /2LONLINE/
