Mbrëmë është arrestuar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosjes Frashër Krasniqi ndërsa në orët e hershme është arrestuar edhe deputeti i kësaj Lëvizje, Glauk Konjufca.
Aktualisht në listën e policisë figurojnë edhe emrat e këtyre të akuzuarve që kërkohen nga policia, të akuzuar për dëmtim të veturave të EULEX-it gjashtë vjet më parë, prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.: Xhelal Sfeqla, Besfort Berisha, Zgjim Hyseni, Lirim Gashi, Salih Zyba, Salih Mehmeti, Naser Shatri, Bujar Vocaj, Kasim Uka, Arbër Nuredini, Asdren Peci, Fatmir Haziri, Ramadn Deliu, Faruk Dakaj, Skender Merturi, Kushtrim Zeqiri, Kujtim Kosumi, Dardan Molliqaj, Skender Blakaj, Blerim Maqastena dhe Lulëzim Xhaka.
Ndërsa, nga Policia e Kosovës është thënë se kemi të bëjmë me zbatim të urdhëresave.
Për arrestimet ka reaguar edhe Aleanca prë Ardhmërinë e Kosovës AAK,
Ja reagimi i saj:
“Arrestimi mbrëmë i zëdhënësit të LVV-së, Frashër Krasniqi dhe sot i shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, si dhe paralajmërimet për arrestime të tjera të mundshme të aktivistëve të VV-së, për siç thuhet disa vepra të kryera shumë vite më parë, kjo pikërisht një ditë para protestës së madhe të opozitës në Prishtinë, dëshmon lidhjen e fortë të pushtetit dhe gjyqësorit.
Nuk mund të jetë krejt e rastësishme që pushteti vendosë ta ushtrojë zbatimin e ligjit në ditën më domethënëse për Opozitën, prandaj AAK, vlerëson se operacioni i arrestimeve pikërisht sot, është një ndërmarrje e kalkuluar, në mënyrë që të reflektojë keq dhe të nxisë dhunë në protestën e nesërme.
Por Opozita është shumëfish më e përgjegjshme dhe nuk do t’i nënshtrohet skenarëve të krerëve të pushtetit për një protestë të dhunshme, edhe ashtu të paralajmëruar, të sajuar e të deklaruar publikisht tash e sa ditë.
Protesta e 17 Shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore, prandaj kërkojmë që pushteti të mos e provokojë atë me skenarë të gatuar në kuzhinat e tyre politike, aq më tepër ta shfrytëzojë gjyqësorin për hesap të vet” .
Ndaj arrestimeve të fundit ishtre reaguar edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili ka shkruar se përkundër përpjekjeve të Qeverisë për ta ndalur opozitën, kjo nuk do të ndodhë.
Kështu shkruan në një status në Facebook, Ymeri.
Krahu policor i medias ia ka nisur me shpifje të ulëta familjare. Krahu mediatik i policisë ia ka nisur me kërcënime për arrestime fashiste. Dy ditë para protestës më të madhe në historinë tonë, arrestojnë zëdhënësin e VV-së duke dalë nga një emision televiziv, pa dhënë asnjë sqarim. Kjo qeveri policësh, e polici e qeverisë, duan heshtje, ndërkohë që kërcënojnë e arrestojnë për të frikësuar. Shpifin për ne kur nuk duan të zbardhet e vërteta për ta. Janë frikacak, kriminelë e të ligë. Nuk na ndalin dot, se jemi me të drejtën!