(2LONLINE) – Pyjet e Komunës së Gjilan mund të konsiderohen më të sigurta, pasi rojet e pyllit prej sot janë bërë edhe me armë të gjata. Njëmbëdhjetë roje pylli që mbulojnë territorin e Gjilanit sot kanë pranuar armët e gjata të cilëve ua ka ndarë Drejtoria Komunale e Bujqësisë dhe Pylltarisë.
Fadil Kajtazi i autorizuar nga kreu i komunës për të pranuar dhe dorëzuar këto pushkë ka thënë se sot bashkë edhe drejtorin e Drejtorisë Komunale të Bujqësisë dhe Pylltarisë, po i shpërndajnë 11 pushkë me të cilat Agjencioni Pyjor i Kosovës i ka pajisur njëmbëdhjetë rojet e pyllit të komunës së Gjilanit.
Kajtazi tha se në këtë mënyrë rojet e pyllit të komunës së Gjilanit po vishen me autoritet dhe se rojet si persona zyrtarë me autoritet janë më të përgatitur për të mbrojtur pasurinë pyjore të Kosovës. Ai tha se këto armë janë të prodhimit turk.
Nga ana e tij, drejtori i drejtorisë komunale të Bujqësisë e Pylltarisë, Ramiz Ramadani ka thënë se ky është edhe një hap përmes të cilit po tregohet se autoritetet komunale janë të vendosur për t’i ruajtur pyjet si pasuri kombëtare.
Ramadan itha se rojet janë të trajnuar për përdorimin e këtyre pushkëve të gjata dhe se vlerësohet se me këtë akt veç është përmbushur një kërkesë e kamotshme e tyre.
Përndryshe, nuk janë rastet e pakta kur autoritetet komunale kanë raportuar për dëmet shkaktuara në pyje nga keqbërësit, me shumë prej tyre janë marr edhe autoritetet drejtësisë. /2lonline/