/2L ONLINE/ – Vazhdojnë dhurimet e eksponateve të vjetra për muzeun e Gjilanit nga ana e qytetarëve të Gjilanit dhe se dhe eksponate tjera të familjes së Jusuf Rexhepit, tash e tutje, pjesë e Muzeut të Gjilanit. Siç bënë të ditur Sabit Rrustemi, këto eksponate të rralla, ku përpos Arkës së nuses janë edhe Sinia e bakrit (e përdorur si tryezë buke ) Dybeku (ku është shtypur kafja, gruri për hashyre si dhe herë – herë edhe misri) e enë të ndryshme bakri me një moshë mbi 100 vjet, në emër të kësaj familje, Muzeut të Gjilanit, përkatësisht zyrtares për muzeologji në QRTK, Gjylshen Berisha ia dhuroi krijuesja Safete Shasivari – Rexhepi.
Interesante është veçmas historia e Arkës, jo vetëm për nga pamja, anise është tejet tërheqëse po, edhe nga fati i saj për të qenë thuaja në duart e tre brezave apo tri nuseve.
Ajo ishte dikur para njëqind e sa vitesh, pronë e gjyshes së Jusuf Rexhepit, Hasibe, e lindur dhe e rritur në Vranjë, pikërisht në Shtëpinë që sot atje është muze dhe mbanë emrin e shkrimtarit Bora Stankoviq.
Kur e martuan atë kohë për Jusuf Agën e Gjilanit (gjyshin e Jusufit të sotshëm – burrit të Safetes) , familja e saj ia dha si pajë nusërie në Gjilan.
E, kjo arkë që nga tash e tutje u bë pronë e Muzeut të Gjilanit, në vazhdën e dhurimeve që po vijnë nga qytetarët tanë, në këtë shtëpi priti dhe dy nuse të tjera, në periudha të ndryshme kohore përderisa koha nuk e nxori në “pension”.
Prej dhurimeve të shumta të kësaj familjeje gjilanase vlen për t’u veçuar edhe tryeza e bukës prej bakri që ndryshe është quajtur Sini dhe është përdorur më tepër nga familjet e pasura si dhe Dybeku i kafes, një nga mjetet më të hershme thuajaj për shtypjen e kafes dhe përgatitjen e saj për zierje po, edhe gruri për hashure dhe, në raste të rralla, edhe misri. /2L ONLINE/