/2L OONLINE/ – Anëtarja e Kuvendit komunal të Gjilanit nga lëvizja Vetëvendosje, Arjeta Rexhepi tha se që nga viti 2001 pushtetarët gjilanas kanë dhënë në shfrytëzim toka komunale pa kriter, pa afat të caktuar për shfrytëzimit, pa asnjë kusht, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“Më në fund, edhe për këto keqpërdorime të rënda të Kuvendit Komunal dhe Kryetarit të Komunës ka reaguar Ministria e Administrim të Pushtetit Lokal. Pas shqyrtimit të vendimit 01 Nr. 016-9262 për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastrale P-70403013-00162-8 me sipërfaqe prej 233 m/2, ZK-Gjilan me datë 27. 01. 2015, konstaton shkeljet si vijon: Vendimi i lartpërmendur është në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit Nr. 04/L-144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, si dhe rregulloren QRN Nr. 23/2013 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës. Vendime për dhënien në shfrytëzim të pronave të komunës, në kundërshtim me ligjin, ka marr komuna edhe në vitin 2000 edhe në vitin 2012 për të cilat duhet të reagoj Ministria e Administrimit Vendor”, tha Rexhepi.
Ajo theksoi se Lëvizjes Vetëvendosje më 3 mars i është drejtuar Drejtorisë së Kadastrës, Gjeodezisë dhe Pronës me kërkesën që të na e dërgojnë listën e pronave komunale të dhëna në shfrytëzim dhe vendimet e Komunës për secilin rast veç e veç.
“Po ashtu kemi kërkuar të na e dërgojnë listën e pronave të uzurpuara të Komunës nga uzurpator të ndryshëm. Lista e re e uzurpatorëve e publikuar para disa dite, në krahasim me listën e publikuar para dy viteve nga Komuna, prezanton gjysmën e uzurpatorëve, andaj ne kërkojmë shpjegim nga Komuna se a bëhet fjalë për kthimin e pronave komunës apo fshehjen e gjysmës së uzurpatorëve”, tha Rexhepi. /2L ONLINE/