Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi dhe i Preshevës, Ragmi Mustafa, janë kthyer në Luginë nga vizita e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në SHBA dhe takimit të realizuar me senatorë dhe kongresistë, dy përfaqësuesit shqiptarë kanë marrë përkrahjen e autoriteteve për të mbështetur Luginën e Preshevës me projekte të ndryshme, raporton Titulli.com.
Këtë e konfirmoi të premten kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili gjatë një konferencë për shtyp tha se autoritetet amerikane i ka njoftuar me situatën politike, të sigurisë dhe atë ekonomike e cila po mbretëron në Luginë.
Ai tha se në këtë drejtim kanë marrë përkrahjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nga Kongresi, se “kjo pjesë nuk do të lihet anash”.
Arifi dhe Mustafa nga 7 deri më 13 tetor qëndruan në kryeqytet Washington D.C si dhe në New York.
Delegacioni nga Lugina në SHBA ishte me ftesë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.