/Ardhja e bashkatdhetarëve tanë në pushim këtë kohë ka ndryshuar jetën në vend për të mirë/
Femi HALIMI
/2L ONLINE/ – Pamjet e zymta të rrugëve pa njerëz gjithë vitin janë bërë të rënda në vend tonin. Më shumë se gjysma e popullsisë ka dalë jashtë vetë e me familje. Shtëpi me pleq të vetëm e të tjera shumë pa njerëz janë bërë kohë të gjatë ngarkesë sociale dhe njerëzore.
Në të vërtetë ne dinim për popujt tjerë që janë në gjendje të rëndë për shkak të vetmisë së pleqve dhe shtëpive pa banorë, duke qenë të rinjtë të shpërndarë nëpër botë pas bizneseve e fitimeve. Shtëpitë shqiptare ishin gjithmonë plot me njerëz dhe kënaqësia më e madhe e kombit ishte në këtë. Forca e shqiptarëve ishte në familjen dhe lidhjet farefisnmore e shoqërore nëmes vete. Familja e madhe ishte shenjë dalluese e shqiptarëve dhe identitet para botës.
Para luftës, viteve të ‘Nëntëdhjeta, nisi kriza e identitetit dhe lidhjeve njerëzore tradicionale. Papunësia që pllakosi Kosovën nga qeveritarët serbë dëmtoi në masë shumë të madhe identitetin dhe traditën dhe luhati rëndë n jë komb të tërë këtu. Kriza sociale në masë të madhe, përcjellë me një luftë të rëndë sociale e psikologjike, planifikuar nga qeveritarët serbë mirë, shthurri në masë shumë të madhe rendin e gjithkohshëm ideal të kombit dhe solli pasoja të rënda që vështirë përmirësohen për tërë një gjysmë shekulli në liri.
Përjashtimi nga puna e të gjithë njerëzve tanë atëherë të punësuar shumë në pushtet dhe qeverisje, por edhe në prodhim e punë tjera boiznesore, prishi marëdhëniet njerëzore nëmes vete dhe solli përçarje të rëndë. Skamja i ndan njerëzit dhe i vetmon. I bën të papërgjegjshëm dhe i kurthëron në belatë nëmes vete. Marrja e ndihmave e huave nëmes vete nuk mund të kthehen dhe në këtë ngatërresat shumohen për të keq.
Kjo ishte pjesë e Planit për një shthurrje të plotë të kombit tonë atëkohë. Megjithë format e shumta solidare vetjake e shoqërore nga Qeveria atëherë Paralele, skamja ishte tejet e madhe për të mbajtë një gjendje normale. Kur kësaj sipas Planit i ndihmoi edhe ndjekja politike e të gjithëve, arrestimet, burgosjet, shantazhet, kushtëzimet, e mënyra tjera shumë të këtilla, popullata ra në një gjendje të rëndë të pa rrugëdalje.
Nga kjo edhe pasuan ikjet në masë jashtë vendit, me çdo mënyrë e me çdo kusht. Me këtë, aty para Luftës së Fundit në vend nuk ishte as gjysma e popullsisë, dhe edhe ajo gjysmë që ishte, ishte në gjendje ferri. Pastaj erdhi Lufta…Dhe kështu me radhë.
-II-
Tani këto ditë, gjithë kohën rrugët janë plot me njerëz tanë dhe veçmas me të rinjë! Gjenerata të tëra janë të lindura në Perëndim dhe vendi i tyre dhe shteti është atje. Dhe mirë që është kështu! Atdheu është mbi të gjitha dhe gjithë njerëzit atdheun e kanë në zemër gjithë jetën e tyre. Në zemër të atdheut është Vendlindja e dashura, që i kthen njerëzit nga çdo anë e botës për sa kohë kanë për pushim veror.
-Mirë se ardhshin e paqshin ku të vijnë! Liria tani është në ballë të çdo njeriu tonë dhe paqa ka kohë që bashkon zemrat e njerëzve për mirë!
Në të vërtetë në këtë ka pakufi komente e shkrime, shkrirje mendsh e kanun, -se kjo nuk është liri dhe se në vend ka një kaos të madh, edhe më të madh se para lufte. Kështu flasin e komentojnë me shumicë njerëz tanë që banojnë edhe këndej kufirit edhe andej dhe që janë në dy vende e pushtete, -të Kosovës dhe të Sërbisë. Ka që e krahasojnë vendin tonë edhe me Zvicrrën e Gjermaninë, Suedinë, etj. Nuk mund të jenë të drejta këto krahasime dhe ata që mbrojnë këto krahasime, ose kanë harruar të kaluarën, ose kanë jetuar mirë në atë kohë, dhe tani nostalgjia nuk i len rahat.
Nuk është çudi me njerëzit tanë që atdheut nuk ia dijnë vlerën e çmimin, -shum ë e shumë prej tyre, -sepse kështu për fat të keq bënë dymijë vjet! Duke mos ditur vlerën e atdheut e lirisë dhe duke mos shfaqë interes për mbrojtjen e vendit, ka shumë konfuzion në komente e lajme dhe në pikëpamje për këtë.
-Kush nuk ia din vlerën lirisë e atdheut, -humbë, -është thënie e urtë në popull.
Duke qenë të tillë plot e përplot njerëz tanë, dhe duke u krenuar me këtë të keqe për më tepër, kemi një gjendje tani kur nuk dihet se çka është liri, e çka robëri! Kështu intelektualë e sërë ekspertësh në media e tv debate lirinë e ndërrojnë me robërinë dhe robërinë e ligjësojnë për të vlefshme. Kjo është edhe sepse nuk u ka djegë në zemër pasoja e robërisë e luftës si dikujtë tjetër.
Tjetër shkak pse mohohet liria e paqa janë bashkimet politike nëpër parti! Faqën e zezë vendit e kombit i qitën këto partitë, a partajat si thonë nga Tetova! Për shkak të destruktivitetit partiak, në një luftë me njëri tjetrin, erdhi për pasojë humbja e vlerës së lirisë, luftës, heronjve dhe fitores. Luftëtarët u bënë të urryeshëm dhe dëshmorët të pa të kuptimtë në sakrificën e tyre.
“…-Ka qenë në burg politik? Kush? Pse ka qenë?!…-Jo more, -hiqu tij!
-Ka qenë pjesëmarrës në Luftë? Kush? Pse ka qenë? Kundër kujtë bre ka luftue?! –Jo more, -hiqu tij!
-Se ka qenë në luftë, a në burg politik, nuk do të thotë se tash t’ia lëshojmë vendin!? Ka qenë, -nëse ka qenë, -e po le të rri tash në punë të vet! Mos të përzihet. Nuk o tash punë e tij, punësimi, pozita, udhëheqja, pushteti! Pushteti o i atyne që e meritojnë! Me shkollë shkojnë këto punë, -jo me politikë, me burgje, me luftë “çlirimtare”!…”
Kështu sado që qe e madhe lufta për çlirim, pas luftës u bë luftë edhe më e madhe për punësim, marrje të pushtetit dhe për sundim me të mirat e popullit. Sunduesi i huej kishte dy sundimet, e tani këta tanët kanë pushtetin mbi të mirat materiale e jetësore të popullit. Një konfuzion total në ndarjen e pushtetit dhe një luftë e përhershme përbrenda u instalua dhe tani kemi këtë që kemi.
As ka ligj punësimi, as ka konkurs, as ka kërkesë për të ditur, as për ekspert, as për punëtor të drejtë. Nuk ka as përgjegjësi për asgjë, sepse kjo u shua kur u nda pushteti nëmes partive. Nëse edhe kërkohet përgjegjësi për dikend, kjo komentohet për luftë të një partie rivale për ti marrë partisë në pushtet pushtetin, nga një pikë në tjetrën, hap pas hapi. Që mungojnë paratë nga arkat kjo nuk i përket në përgjegjësi askujtë, sepse partitë e kanë kuptuar ndarjen e pushtetit me ndarjen e arkave dhe abuzimin me to.
Nuk është çudi kjo që ndodhë, sepse kjo tanimë është bërë identifikim kombëtar yni! As miliardat që i abuzuan njerëzit e Qeverisë së paraluftës nuk ua përmendë më kush! –Jo more! Pushteti kur merret, merret me të gjitha të mirat dhe pa asnjë të keqe në përgjegjësi. Nëse dikush me paratë e qeverisë ndërton soliterë, fabrika, ka mijëra hektarë pronësi, ka banka, punishte me qindra punëtorë,këtë nuk e thotë askush. Pse ta thotë? Për më tepër, dëgjoj gjithë kohën se si ofshajnë njerëzit tanë për këtë, duke qarë fatin pse vetë nuk qëlluan në krye dikund, për të fshirë një “Arkë të buxhetit”, cilado qoftë!
Që prej fillimit, që para Luftës, -që prej viteve ‘Nëntëdhjetë, kjo nisi kështu dhe tani kështu është pa asnjë ndryshim. –“Kush zen vendin pran Arkës”, -ky është qëllimi parësor politik e i mençurisë!
-III-
Unë shes libra në Qendër!…Njëherë një udhëheqës i lartë politik, me përcjelljen e tij, u ndal tek librat dhe për rreth njëzet minuta biseduam shpejt e për gjithçka…
Një çast, ai u tha të vetëve:
-Është njeri që ka lexuar shumë dhe që din shumë! –Nuk ka më të ditur në Kosovë kund!…
…-O jo, zotëri! –I thashë me të butë. –I mençur je ti, që ke bërë milionat dhe që jeton një jetë të lumtur, pa asnjë brengë për ditët që jeton, vetë e me familje! -Unë, -i thashë tutje, -për çdo ditë duhet të mendoj mirë e mirë si të mbijetoj! –I mençur unë nuk jam aspak, -por ti dhe të tillët si ti, jini të mençurit e vendit! Edhe për hajër iu çoftë “Republika” juve të këtillëve!
-Mos fol kështu! –Më tha zotëriu. –Ke qenë edhe në burg politik dhe mos u korit!?
-Qebesa, -ia ktheva, -kam qenë në burg politik,…e kam qenë kahmos gjithë jetën, për këtë liri të sotit, -që më vjen marre ta përmendi mundin, -por kështu si janë punët, -dhe si do të janë si po duket gjithmonë tutje, -qoftë kjo “Republika” për juve, me të gjitha të mirat e veta!…
Më erdhi keq pasandej pse fola ashtu dhe e pashë se gabova si gjithë të tjerët… Më mirë të mos kisha folë fare! –Çka të donë le të bëjnë. Fundifundit, të gjithë shqiptarë jemi dhe le të mos armiqësohemi kështu për shkak të ndarjes së pushtetit me familje.
-IV-
I mendoj këto gjithë ditët që jetoj dhe mendoj se sëpaku, -këta që kanë dalë jashtë, jetojnë jetën me dinjitet!? Sëpaku jetojnë në vende e pushtete ku ka ligj dhe ku ka përgjegjësi. I shoh rrugëve, kah enden plot me jetë, dinjitet e forcë. Të shëndetshëm e me fytyra të qelura, të ndritshme. Të rinjtë, -një racë krejt tjetër e kombit, -të gjatë, të shëndoshë, të fuqishëm! Ka një daqllim nëmes tyre dhe kësaj pjese që kemi mbetë mbrenda këtu, si në nëndhesë, të ndrydhur e të shtrydhur. Mirë është që gjysma e më tepër janë jashtë!
Mirë është që linden jashtë e mbrohen me ligje, që kanë sigurinë sociale e njerëzore dhe që marrin që prej vegjëlisë vetitë civilizuese të vendeve të cilave u përkasin.Çka ti bësh?! Këta janë të shpëtuar dhe të veçuar e të mbrojtur nga padrejtësitë e këtuhit. –Pse, -a të janë këtu e të maltretohen me gjithçka? Të sillen rrugëve e të bëphen raste sociale dhe të presin pleqërinë pa asnjë vend pune e pa asnjë gjë në jetë? Të bëhen shërbëtorë të shërbëtorëve që tani përnjëherë u bënë zotërinjë të rëndë? –Të punojnë gjithë ditën e gjithë natën, për 150 euro mujore? Të punojnë, -ata që punojnë, -pa mbrojtje kurrfare dhe pa stash pune? Me të njofshëm e për dreq, pa asnjë të drejtë? Të kryejnë fakultete, e doktorata, dhe të kërkojnë punë në ndërtimtari sezonale private te ndonjë zotëri i bërë përnjëherë tani, pa zemër e pa njerëzi?…
Mirë është dhe shumë mirë, -sa ska si bëhet më mirë! Zoti i çliroi njerëzit, duke i shpërndarë nëpër botë, pas mbijetesës me njerëzi. Kurrkund nuk është lehtë dhe atje në perëndim e di që është vështirë dhe në vuajtje për njerëz e vendlindje, -por ama ka punësim njerëzor, pagesë të dinjitetshme dhe siguri…
Më mirë me vuajtje për vendin e me punë e fitime atje, -se të ishin këtu, -në skamje e të vuanin, e të pritnin pleqërinë kot!
-Mirë, shumë mirë, -më mirë s’ka si bëhet!
-Sëpaku, gajlja e tyre nuk është!