Arbër Ismajli me kritikë të ashpër për klimën e rëndë politike në vend
Arbër Ismajli, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar ndaj klimës politike dhe gjuhës së përdorur në jetën publike në vend, duke thënë se Kosova po përballet me degradim të komunikimit politik, përçarje dhe mungesë serioziteti institucional.
Përmes një deklarate publike, Ismajli theksoi se koha aktuale kërkon “qartësi, përgjegjësi dhe komunikim të ndershëm me publikun”, derisa shtoi se zhurma politike shpesh po e mbulon arsyen dhe debatin racional.
Ai u shpreh i shqetësuar për, siç tha, përdorimin e gjuhës poshtëruese dhe linçuese ndaj atyre që kanë bindje të ndryshme politike, duke vlerësuar se kjo klimë po dëmton besimin qytetar dhe kohezionin shoqëror.
Sipas Ismajlit, shqetësuese mbetet edhe mënyra se si po sulmohen figura dhe familje që, sipas tij, kanë kontribuar në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Ai përmendi familjen e Adem Jasharit, familjen e Ramush Haradinajt, familjen e Hashim Thaçit, dhe shumë figura të tjera të cilat kanë dhënë një jetë të tërë për krijimin e Republikës sonë, duke thënë se po cenohen padrejtësisht nga diskursi publik.
“Në vend të debatit të mirëfilltë kemi stigmatizim dhe etiketim”, ka deklaruar ai, duke shtuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e vendimmarrjes dhe funksionimin demokratik.
Ismajli ka folur edhe për qeverisjen lokale në Gjilan, duke rikujtuar se gjatë fushatës zgjedhore kishte paralajmëruar për mungesë planifikimi dhe qasje joprofesionale në menaxhimin komunal. Ai kritikoi mungesën e projekteve zhvillimore dhe keqmenaxhimin e resurseve publike, duke përmendur ndërhyrjet në infrastrukturë dhe problemin e pazgjidhur të qenve endacakë.
Ismajli tha se do të vazhdojë të kontribuojë me “integritet dhe përgjegjësi”, ndërsa nënvizoi se politika duhet të jetë hapësirë dialogu dhe jo e përçarjes dhe e gjuhës së urrejtjes.
“Nuk do të jem pjesë e kësaj klime denigruese për asnjë çmim”, ka deklaruar ai, duke bërë thirrje për rikthimin e etikës dhe dinjitetit në komunikimin publik. /2LONLINE/
