DYLON

Arbër Ismajli: Koha e arsyetimeve ka përfunduar, koha e përgjegjësisë ka filluar

Arbër Ismajli: Koha e arsyetimeve ka përfunduar, koha e përgjegjësisë ka filluar
Avatar photo Redaksia

Anëtari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arbër Ismajli, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes komunale pas të gjeturave të Raportit të Auditimit për Komunën e Gjilanit për vitin 2025, duke ngritur shqetësime serioze për mënyrën e menaxhimit të financave publike dhe funksionimin e administratës komunale.

Ai tha se raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk është “opinion politik apo interpretim opozitar”, por “vlerësim institucional” , andaj sipas tij, duhet t’i shqetësojë të gjithë.

EkoHigjiena

“Ky raport nuk është opinion, nuk është interpretim dhe nuk është qëndrim opozitar. Bëhet fjalë për mënyrën se si janë menaxhuar paratë e qytetarëve dhe si ka funksionuar vetë sistemi i qeverisjes në komunë”, ka deklaruar Ismajli.

Sipas tij, raporti evidenton dobësi serioze në menaxhimin financiar, mungesë të kontrollit të brendshëm, probleme në prokurim, keqklasifikime milionëshe të shpenzimeve, mungesë transparence dhe dobësi në mbikëqyrjen e pasurisë publike.

Ismajli ka theksuar se Komuna e Gjilanit ka marrë “Opinion të Kualifikuar” nga auditorët, çka sipas tij përbën një nga kritikat më serioze institucionale ndaj komunës.

“Qytetarët dhe Kuvendi Komunal nuk kanë marrë një pasqyrë plotësisht të saktë mbi mënyrën se si janë menaxhuar paratë publike”, ka thënë ai.

Ismajli ka përmendur edhe gjetjen për nënvlerësimin e pasurive komunale në vlerë prej mbi 1.76 milion euro, për shkak të mosregjistrimit të investimeve dhe pajisjeve në sistemet zyrtare. Raporti evidenton se komuna ka nënvlerësuar pasuritë komunale për: 1,761,172 euro.

“Kjo nënkupton mungesë të evidencës së saktë, dobësi në kontrollin e aseteve publike dhe rrezik për humbje apo keqpërdorim të pronës publike”, është shprehur ai.

Anëtari i Kuvendit Komunal nga LDK-ja ka ngritur shqetësime edhe për angazhimin e 95 personave me kontrata për “shërbime të veçanta”, pa procedura të rregullta ligjore.

“Kjo praktikë cenon meritokracinë, besimin e qytetarëve dhe barazinë në qasje ndaj punësimit publik”, ka deklaruar Ismajli, duke kërkuar publikimin e listës së plotë të angazhimeve dhe hetim institucional për ligjshmërinë e tyre.

Ai ka kritikuar edhe zhvillimin e procedurave të prokurimit për projekte infrastrukturore pa projekte ekzekutive, duke përmendur projektin “Rikonstruktimi i rrugëve në Gjilan” në vlerë prej mbi 699 mijë euro.

“Kjo praktikë rrit mundësinë e anekseve, kostot shtesë dhe krijon hapësirë për keqpërdorime. ”, ka thënë Ismajli.

Në reagimin e tij, ai ka përmendur edhe mosrealizimin e minimumit ligjor për inspektimin e pronave për tatim, duke thënë se komuna ka arritur të inspektojë vetëm 6.5 për qind të objekteve.

Sipas Ismajlit, raporti evidenton gjithashtu ridestinim të mjeteve buxhetore pa miratim të Kuvendit Komunal, vonesa të pagesave deri në 120 ditë, pas afatit ligjor dhe mungesë raportimi për shfrytëzimin e pronave komunale.

Ai ka theksuar se një pjesë e madhe e rekomandimeve të auditorëve janë të përsëritura nga vitet paraprake, gjë që sipas tij dëshmon mungesë të llogaridhënies institucionale.

“Kur të njëjtat shkelje përsëriten vit pas viti, atëherë nuk kemi më të bëjmë me gabime të rastësishme, por me probleme sistematike dhe mungesë të kontrollit institucional”, ka deklaruar ai.

Në fund, Ismajli ka kërkuar raportim publik nga kryetari i komunës për secilën gjetje të auditimit, plan konkret për zbatimin e rekomandimeve, transparencë për kontratat dhe pagesat, si dhe hetime institucionale për rastet që paraqesin risk të lartë.

“Koha e arsyetimeve ka përfunduar. Koha e përgjegjësisë ka filluar. Qytetarët e Gjilanit nuk kërkojnë shumë. Ata kërkojnë drejtësi, transparencë dhe menaxhim të ndershëm të parasë së tyre.

Dhe këtë nuk do ta kërkojmë vetëm sot. Do ta kërkojmë çdo ditë, deri sa të bëhet standard.

Sepse Gjilani meriton më shumë. Qytetarët meritojnë më shumë. Dhe mbi të gjitha, besimi publik duhet të rikthehet”, ka thënë Arbër Ismajli anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga LDK-ja.  /2LONLINE/