Arbër Ismajli: Gjilani ka nevojë për një fillim të ri!
Arbër Ismajli, nënkryetar i LDK-së së Gjilanit, që ditë më parë edhe u zyrtarizua si kandidat i këtij subjekti për kryetar komune, në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti, ka thënë se Gjilani ka nevojë për një fillim të ri!
”Do ndërtojmë një ekip të përkushtuar, me njerëz të dijshëm dhe të ndershëm të këtij qyteti”, ka thënë ai.
Siaps Ismajlit, qeverisja lokale nuk duhet të jetë as lojë, as privilegj, por shërbim i pastër ndaj qytetarëve.
”Do të bëhemi gati për superprojekte të qëndrueshme për 4 vitet e ardhshme. Jo për marketing, por për zhvillim serioz të këtij qyteti që e ka kapluar heshtja qeverisëse për 4 vite. Do të vendosim rregull, transparencë dhe ritëm të ri në çdo sektor”, ka thënë Ismajli i LDK-së, transmeton 2LONLINE.com.
Ai thotë se Gjilani mund dhe duhet të qeveriset më mirë, ndryshe dhe me vizion.
“E dimë ku po shkojmë dhe kemi plan se si të arrijmë aty. Qytetari padyshim që do ta ndjejë ndryshimin që e ka merituar e që e ka humbur ndër vitesh. Bashkë do të punojmë për Gjilanin që e duam dhe për komunën që e ëndërrojmë”, ka thënë Arbër Ismajli, nënkryetar i LDK-së së Gjilanit, njëherësh kandidat i këtij subjekti për kryetar komune në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti. /2LONLINE/
