Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka pritur në një takim pune ish-kryetarin e Ulqinit, njëherësh drejtor i turizmit në këtë komunë, Gëzim Hajdinagaj, me të cilin kanë bashkëbiseduar për javën e turizmit, mundësinë e zhvillimit ekonomik lokal dhe ofertat që ofrojnë këto dy komuna për turistët në përgjithësi.
Në fjalën e tij nënkryetari Ismajli ka thënë se viti 2020 ishte një bllokadë e madhe dhe ngecje e zhvillimit në një masë të jashtëzakonshme të sektorit privat, ndërsa ky vit jep shpresë për një sezonë në hapje në kuadër të masave të paralajmëruara shtetrore për mbrojtje nga Covid-19 por pa izolime.
“Kosova dhe gjithë bota vitin e kaluar kishte një bllokadë të jashtëzakonshme dhe historike për shkak të pandemisë globale Covid-19. Në këtë aspekt janë shkaktuar edhe shumë humbje të mëdha në sektorin privat dhe në këtë rast edhe në aspektin e turizmit. Ky vit ka shpresa për një gjendje krejtë tjetër dhe në këtë drejtim është konfirmuar se Mali i Zi ka ndërmarr hapa të shumtë për parandalim të pandemisë dhe njëkohësisht hapjen e vendit për turistët. Kemi diskutuar bashkërisht që edhe Gjilani edhe Ulqini janë komuna që kanë çka ti japin turistëve duke nisur nga e kaluara e lavdishme historike dhe monumentet e shumta, e deri të mikëpritja që është vlerë e përbashkët dhe dalluese e qytetarëve tanë të këtyre dy komunave, përfshirë këtu edhe sigurinë publike. Sivjet, Ulqini do të jetë i hapur për kosovarët, ku nuk do të kërkohet testi kundër virusit Corona dhe është duke u punuar fuqimisht në mes dy Qeverive për heqjen e sigurimeve të veturave”, tha mes tjerash nënkryetari Ismajli.
Ai ka potencuar se dy komunat njihen për cilësi në në shërbim, nga sektori i gastronimisë, avancim në sektorin e turizmit në përgjithësi shkëmbimi i përvojave ndërvite dhe ngritja e investimeve që bashkë me sektorin privat janë bërë në shumë fusha.
Ndërsa, drejtori i Turizmit në Ulqin, Gëzim Hajdinagaj ka njoftuar mbi të gjitha përgatitjet që ka bërë komuna e Ulqinit për turistët dhe përparësitë që janë atje për këtë sezonë.
“Gjilani dhe Ulqini janë të njejta në shumë aspekte, shqiptarët atje dhe këtu njihen për solidaritetin, për shërbimet e mrekullueshme në gastronomi, për vendet piktureske, ambientin e pastër, e deri të siguria publike dhe mikëpritja. Ulqini në bazë të planifikimeve do të jetë i hapur për turistët, për dallim prej vitit të kaluar që kishte shumë burokraci. Gjithashtu sektori privat këtë vit është më i mobilizuar se kurrë dhe nga 1 maji shënon hapja e sezonit turistik kur edhe pjeken të gjitha kushtet për një qëndrim të rehatshëm me kapacitete të plota turistike. Ne ju mirëpresim me shumë kënaqësi, sepse turizmi është mbështetja jonë dhe njëkohësisht është përgatitja për shërbimin më të mirë ndaj jushë dhe Kosovës në përgjithësi”, ka thënë mes tjerash drejtori, Hajdinagaj. /2LONLINE.com/