(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka themeluar të premten Komitetin për Arsim (KA) dhe ka zgjedhur në krye të kësaj trupe profesionale Arben Mehmetin (LDK), i cili është pjesëmarrës i katër përbërjeve të deritashme të vendimmarrjes komunale.
Për zgjedhjen e Mehmetit në krye të KA kanë votuar katër anëtarë (LDK-AAK), ndërsa dy të tjerë, Fehmi Sylejmani (VV) e Shukrije Rapuca (PDK) kanë abstenuar, me arsyetim se Mehmeti nuk i përket fushës së arsimit.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se nuk ka vonesa në konstituivin e organeve komunale dhe jo rastësisht themelimi i kësaj trupe profesionale arsimore po bëhet më 7 mars –ditën e Mësuesit.
Vendimi i KA për të zgjedhur Arben Mehmetin në krye të tij, është përshëndetur edhe nga Nazmi Musa, drejtor komunal i Arsimit, i cili ka kërkuar që kjo trupë profesionale të mos politizohet për qëllime partiake.
Duke marrë parasysh se në Drejtorinë e Arsimit janë konstatuar shkelje nga përbërja e kaluar qeverisëse, Musa ka thënë se Mehmeti do të kujdeset për zbatimin e ligjit në këtë sektor, sepse është jurist.
Kurse Arben Mehmeti tha se ai ka njohuri të mjaftueshme për arsimin, sepse si anëtar i Kuvendit Komunal ka marrë pjesë në të gjitha komisionet për hartimin e rregulloreve dhe miratimin e vendimeve që kanë të bëjnë me këtë sektor, ndërkohë që tha se ka punuar edhe si mësimdhënës për dy vite. /2lonline/