DYLON

Apelohet për kujdes në përdorimin e trotineteve elektrike: Mosrespektimi i rregullave mund të kushtojë me jetë!

Apelohet për kujdes në përdorimin e trotineteve elektrike: Mosrespektimi i rregullave mund të kushtojë me jetë!
Avatar photo Redaksia

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të trotineteve elektrike, me theks të veçantë të rinjve, që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit në trafik dhe t’u përmbahen rregullave të përcaktuara me ligj.

Sipas policisë, përdorimi i trotineteve elektrike është në rritje, ndërsa respektimi i normave të sigurisë rrugore mbetet thelbësor për parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës.

EkoHigjiena

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë personat që drejtojnë trotinete, veçanërisht personat e rinj, që gjatë drejtimit të këtyre mjeteve të jenë të kujdesshëm dhe t’u përmbahen rregullave të parapara me ligje. Drejtimi i trotineteve pa i respektuar normat e parapara me ligj kushton me jetë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia rikujton se drejtuesit e trotineteve elektrike kanë obligim të: operojnë trotinetin vetëm në pozicion në këmbë, respektojnë shenjat e trafikut dhe rregullat e qarkullimit rrugor, shfrytëzojnë shiritin ose shtegun e dedikuar për biçikleta, aty ku ekziston, mos të transportojnë pasagjerë apo kafshë, të mos përdorin kufje apo pajisje audio gjatë drejtimit, të lëvizin me shpejtësi të sigurt dhe të përshtatur me kushtet e rrugës, të tregojnë respekt ndaj të gjithë pjesëmarrësve të tjerë në trafik.

Poashtu, personat nën moshën 16-vjeçare nuk lejohen të drejtojnë trotinete elektrike në rrugë publike, ndërsa për shkeljet përgjegjës mban prindi ose kujdestari.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan thekson se zbatimi i këtyre rregullave është i domosdoshëm për sigurinë e drejtuesve të trotineteve, këmbësorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, duke apeluar për përgjegjësi dhe kujdes të shtuar në çdo lëvizje në rrugë.  /2LONLINE/