Apel për ndihmë: Familja Kqiku nga Gjilani në kushte të rënda sociale (video)
/2L ONLINE/ – Remzie Kqiku së bashku me tre fëmijët dhe nënën e saj jetojnë në një varfëri ekstreme në lagjen “Lidhja e Prizrenit” në Komunën e Gjilanit. Në mungesë të bashkëshortit i cili ka ndërruar jetë, tani e ca vite nuk ka kush të përkujdeset për këtë familje e cila duket jetime në mungesë edhe të ndihmës institucionale.
Muret e shtëpisë edhe ashtu të stërvjetëruar janë çarë në dysh duke lënë kështu shiun të pikojë brenda e për brenda shtëpisë. Orenditë duke luks për këtë familje e cila jeton në sfungjerë dhe tepihë gjysmë të çara. Brenga e vetëm e kësaj familje mbetet të sigurojë bukën e gojës e jo të mendojë për diçka më tepër.
Nëna e cila jeton me tre fëmijët e saj thotë se ekzistencën e siguron duke kërkuar nga të tjerët pasi Komuna nuk po i ndihmon ashtu siç kishte premtuar.
“70 euro të ndihmës sociale nuk po mjaftojnë për të siguruar bukën e gojës. Kemi kërkuar ndihmë nga Komuna por vetëm na kanë premtuar dhe më kurrë nuk kanë ardhur për të na vizituar më. Madje, edhe organizatat që funksionojnë për dhënien e ndihmave na kanë refuzuar disa here”, fillon rrëfimin e përlotur zonja Remzie.
Hallin kryesor pos ekzistencës, e zonja e shtëpisë duhet ta bartë edhe sëmundjen e fëmijëve të tyre të cilët duke jetuar në kushte shumë të vështira edhe janë sëmurë.
“Dy fëmijët janë sëmurë, kemi qenë disa here në Spitalin e Gjilanit, mirëpo ata na kanë thënë se duhet të vini në ordinance private. Jam detyruar të marrë 10 euro hua në mënyrë që të dërgoj fëmijën tim për ta kontrolluar. Nuk po kam mundësi as barnat t’ia blej, vetëm kanë mbetur të shkruara në letër ilaçet e doktorit sepse nuk po kam para që t’ia blej”, thotë Kqiku.
Më e dhimbshme është fakti se fëmijët detyrohen të ushqehen me fjalë ngushëlluese nga e ëma në mungesë të barërave që duhet ti përdorin për tu shëruar.
Për t’i dale në ndihmë kësaj familje po kujdesen disa të rinj gjilanas që kanë marrë iniciativën për ta ndihmuar këtë familje. Për këtë arsye na duhet ndihma juaj, ju lutemi ndihmojeni iniciativën.
Nr. Kontaktues: +377 45 599 823
+377 45 698 631
+377 45 678 193
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/



