(2LONLINE) – Kuvendi Komunal i Gjilanit, të mërkurën, në seancën e radhës, të cilën e ka kryesuar Valentina Bunjaku – Rexhepi, ndër tjerash ka miratuar edhe vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pa shpenzuara të vitit fiskal 2012 dhe 2013, në vitin fiskal 2014, pastaj planin e punës së Kuvendit Komunal për vitin 2014, vendimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, vendimin paraprak për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, të cilin e kanë arsyetuar drejtorët Sadudin Berisha (Kadastër) dhe Sokol Haziri (Shërbime Publike), vendimin për themelimin e Komisionit vlerësues të ofertave për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme komunale, vendimin për themelimin e Komisionit për vlerësimin e ankesave.
Po ashtu, pa votat e opozitës, Kuvendi Komunal ka miratuar edhe vendimin për anulimin e vendimit 01. nr. 119106 dhe 119115 të datës 16.10.2012 që ka të bëjë me Komisionin komunal të aksionarëve në “Kosovatrans” dhe “Ecohigjiena”. Arsyetimin e ka dhënë Ismajl Janizi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, i cili ka thënë se këto dy komisione nuk kanë raportuar asnjëherë për punën e tyre. Sahit Abazi (PDK) tha se anulimi i vendimeve nuk është praktikë e mirë dhe këshilltarët e këtij grupimi janë kundër këtij vendimi.
Sa i përket diskutimit për kompensimin e Komisionit të përhershëm statutar dhe akte tjera normative, Kuvendi Komunal vendosi që ky kompensim të jetë një paushall prej 150 euro për punën që do të bëjë në ndryshimin dhe plotësimin e statutit, që erdhi si propozim nga kryesuesja Valentina Bunjaku – Rexhepi, në vend të propozimit fillestar për një pagesë prej 70 euro për çdo takim, por me kusht që të mos jenë më shumë se tre brenda një muaji.
Me propozimin e Abdyl Aliut (LDK), është hequr nga rendi i ditës zgjedhja e zëvendëskryesuesit të KK-së nga radhët e komuniteteve meqë ndërkohë, siç ka thënë Aliu, duhet të bëhen disa konsultime me komunitetet, gjë që e ka përkrahur edhe këshilltari serb në asamble, Srgjan Mitroviq. /2lonline/