Teatri i Qytetit të Gjilanit po bëhet teslim nga ndërhyrjet partiake të kreut të komunës! Ky teatër po ballafaqohet jo vetëm me një grip të lehtë sezonal, por me kriza të njëpasnjëshme nëpër secilin vit, pavarësisht nga kush po qeveriset komuna e Gjilanit. Aktorët e teatrit të këtij qyteti janë të zemëruar skajshëm dhe me të drejtë, pasi që së fundi, gjatë renovimit të objektit të teatrit, nga pakujdesia, neglizhenca e padija, është dëmtuar akustika e sallës. Por fill pas këtij zemërimi, përsëri iu ka prishur humori me zvarritjen e ndërhyrjet politike për përzgjedhjen e drejtorit të teatrit, i cili po kalon secilin afat ligjor. Nuk ka më komike e më të paligjshme sesa të kalon teatri i qytetit nga një ushtrues detyre me afate të paligjshme, të shpallet më pastaj konkursi publik e të anulohet rishtas, ndërsa më pastaj të mendohet përsëri për një ushtrues të ri detyre pas anulimit të konkursit, duke u drejtuar teatri më shumë nga ushtryes detyre sesa nga drejtorë të rregullt. Nuk ka më alergjike sesa ekspozimi i vazhdueshëm nga ‘qeverisja me pluhur’ për teatrot e qyteteve dhe me Teatrin Kombëtar të Kosovës. Sapo ndalet hallakama e përkohshme në një teatro qyteti dalim në një teatër të qytetit tjetër, e më pas në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe anasjelltas. Është e bezdisshme të shkruash për kriza të njëjta, për vazhdim të mentalitetit qeverisës me zgjidhje problemesh në mënyra partiake e gjysmake. Bëhet fjalë për ndërhyrje direkte politike të kryetarëve të komunave në teatrot e qyteteve se kush do të jetë drejtor teatri, sikur të ishte pozita e drejtorit të teatrit post politik, e jo post i derivuar nga konkursi publik dhe i përzgjedhur nga Këshilli Drejtues sipas Ligjit për Teatrot. Në rast se nuk bëjmë më shumë rreth sundimit të ligjit, shumë më mirë për të mos humbur kohë, të bëhen krejt pozitat drejtuese të institucioneve kulturore, si poste politike, qoftë për drejtor teatri, muzeu, galerie, dhe pse të zvarriten aq shumë proceset, të nëpërkëmben kandidatët nëpër konkurse publike të politizuara sa më s’ka. Ashtu-kështu po vendosin në fillim e mbarim politikanët dhe partitë në pushtet! Prandaj, edhe do të kishte më pak shpenzime financiare për shpallje konkursesh publike dhe më pak polarizime të artistëve si kolegë në punën e tyre të përbashkët artistike.
Tregimi i zvarritjes së përzgjedhjes së drejtorit
Pas ardhjes në pushtet të LDK-së në komunën e Gjilanit, ishte koha e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Teatrit të Qytetit. Në periudhën e qeverisjes paraprake nga PDK-ja, përkatësisht Qemajl Mustafa, drejtor i teatrit ishte Ali Demi, ndërsa herë pas herë kishte edhe drejtor artistik, një individ tërësisht joserioz. E sot, ky teatër nuk ka për kohë të gjatë as drejtor të përgjithshëm, as udhëheqës artistik, por ndonëse ka Këshill Drejtues, është thuajse krejtësisht jofunksional. Madje në krye të këtij Këshilli Drejtues, ka anëtar me përgatitje profesionale si skulptor, e që bie në kundërshtim me nenin 11.5 të Ligjit për Teatrot, në të cilin thuhet: “Anëtarët e këshillit drejtues të teatrit duhet të jenë persona kredibil, me autoritet dhe me përgatitje profesionale në fushën e teatrit.” Si mund të jetë në këtë rast, skulptori me përgatitje profesionale në fushën e teatrit?! Po ky Këshill Drejtues as nuk ka bërë një statut të teatrit që do të miratohej në Kuvendin Komunal, as nuk mbikëqyrë punën e teatrit, as nuk shqyrton e miraton raportin vjetor financiar, e tjerë e tjerë, sikur parashihet me Ligjin për teatrot. Po të ishte funksional, profesional dhe i angazhuar, do të merrej me aq shumë probleme të grumbulluara në teatër dhe do t’i tregonte kryetarit të komunës se teatrit i mungojnë kushtet themelore, të cilat mund të shtyjnë shpërbërjen e krejt teatrit të qytetit!
Dështimi i drejtorisë për kulturë
Kryetari Haziri kishte premtuar ndryshime të mëdha në kulturë, e veçanërisht në teatër, duke nënshkruar madje njëfarë kontrate me shkrim me aktorët dhe shumë artistë të zhanreve të tjera, se do të zgjidhte problemin e subvencioneve për aktorët, rreth galerisë së qytetit, muzeut, e kështu me radhë. Asnjëra nga to nuk është zgjidhur, madje problemet vetëm sa janë bërë nyje. Premtimet e tij janë të regjistruara edhe në mënyrë audio-vizuele, por nuk kanë ndonjë rëndësi për të. Shpesh aktorët e qytetit protestonin për subvencionet që nuk u paguheshin me rregull, madje me vonesa të mëdha. I shihja dhe ndonjëherë solidarizohesha edhe fizikisht me ta në protestë. Në protestën e fundit para pak kohësh, drejtuesit e komunës i kërcënuan me shpallje të audicionit të ri. Për habinë e madhe, pavarësisht se shumë prej tyre kishin vite që ishin pjesë e trupës rezidente, nuk reaguan fare bashkërisht të refuzonin këtë audicion të ri, kinse si zgjidhje përfundimtare e problemeve me Teatrin e Qytetit, pasi që po reduktohej mjaft shumë numri i aktorëve rezidentë. Së këndejmi, aktorët iu nënshtruan audicionit dhe ata/ato që u pranuan, filluan të mendonin se ndoshta tashmë çdo gjë tani e tutje do të ishte në rregull, pavarësisht zhgënjimeve e dyshimeve që u silleshin brenda mendjeve të tyre individuale. Por ja që subvencionet nuk po u jepeshin dhe përsëri filluan ta mendonin zgjidhjen përmes reagimeve, apeleve dhe protestave në rrugë. Por problemit të subvencionimit të rregullt, iu ka shtuar edhe një kërkesë e re: anulimi i konkursit! Sipas atyre që dolën në protestë – sepse nuk dolën të gjithë për shkak të konfliktit të interesit, zhgënjimeve dhe mungesës fizike të disave në këtë periudhë kohore, – nuk duhet kurrsesi që kryetari i komunës të ndërhyn në procesin e zgjedhjes së drejtorit të teatrit; konkursi publik në të cilin kishte marrë më së shumti pikë nga Këshilli Drejtues kandidati Erson Zymberi, të shpallej i vlefshëm dhe të respektohej vendimi i anëtarëve shumicë të Këshillit Drejtues etj. etj. Por ndodhi krejtësisht diçka tjetër që përçau shumicën e aktorëve, kolegët në teatër, anëtarët e Këshillit Drejtues me kreun e këtij Këshilli, pasi që një nga anëtaret kishte treguar krejt çfarë fshihej brenda këtij procesi intervistues për drejtor teatri. Adriana Matoshi, ish drejtuese e Teatrit të Qytetit, njëherazi anëtare e Këshillit Drejtues, akuzoi kreun e Këshillit, se kishte gënjyer që Këshilli Drejtues nuk ka rënë dakord për emrin e kandidatit për drejtor teatri. Sipas Matoshit, kreu i Këshillit Drejtues, Sabedin Shahiqi, kishte pasur presione nga kryetari i komunës së Gjilanit, z. Haziri, për të përzgjedhuar si drejtor teatri, të preferuarin e tij bashkpartiak. Prandaj, Matoshi e kishte denoncuar publikisht këtë aferë të brendshme, e cila bëri që ajo të pëlqehej për guximin e saj denoncues nga shumë artistë dhe publiku i gjerë në mediet online. Për të thënë shkurt, kryetari Haziri ka dashur që Bashkim Nexhipi të bëhej drejtor teatri, por ndryshe kanë menduar anëtarët e Këshillit Drejtues që drejtor teatri të zgjedhej Erson Zymberi, dhe prandaj u anulua krejt konkursi me vendim të të parit në komunë. Kështu që, krejt këtë ngjarje nga brenda, e publikoi për publikun e gjerë, njëra nga anëtaret e këtij Këshilli Drejtues, e cila ishte në procesin e intervistimit të kandidatëve, aktorja Matoshi.
Kryetari i LDK-së kërkon drejtor ldk-ist të teatrit
Të gjithë e dijmë se si aktorët ndjekin parti të caktuara politike, kush më hapur e kush më fshehur. Mirëpo, në nivelin lokal, ne të gjithë i njohim. Prandaj, të gjithë e dinim se si kur të fiton partia e caktuar politike, se cilin kandidat do ta vërë drejtor teatri, drejtor kulture, e kështu me radhë. Në kulturë, por edhe në teatër, përflitej në qytet se do të bëhej kandidati Bashkim Nexhipi, i apostrofuari në medie si kandidat për drejtor teatri, pasi që ka identifikim mjaft të hapur me LDK-në, ka kontribuar mjaft shumë për këtë parti politike, qoftë edhe financiarisht. Përfoljet në qytet, u shndërruan në shkencë! Nexhipi u emërua nga kryetari i komunës së Gjilanit, si kreu i Task Forcës për Kulturë, Rini dhe Sport. Ky është argumenti më i fortë se Matoshi e ka thënë të vërtetën, pasi që nëse kryetari Haziri e paska emëruar të njëjtin person për Taskë Forcë për Kulturë, ka dashur ta bënte edhe drejtor teatri, por me ligj parashihet se ky post nuk është sikur posti i drejtorit për kulturë, kur emërohet apo shkarkohet nga kryetari i komunës. Drejtori i teatrit përzgjidhet me konkurs publik, duke u intervistuar nga Këshilli Drejtues, e jo nga kryetari i komunës. Madje, po të bëhemi edhe më korrektë, i njëjti person nuk do të duhej fare të konkurronte si drejtor teatri në këtë periudhë kohore, sepse dihej publikisht se ishte kreu i Taskë Forcës për Kulturë, Rini dhe Sport. Është ngjashëm sikur dikush të kishte qenë drejtor kulture, e tash dëshiron të bëhet drejtor teatri! Është konflikt interesi për këtë rast!
Padia e fituesit ndaj kryetarit të komunës
Do të duhej që fituesi që ka marrë më së shumti pikë ta padis kryetarin e komunës për ndërhyrje politike për një pozitë me konkurs publik! Argumenti ligjor për të do të ishte deklarimi publik i njërës nga anëtaret e Këshillit Drejtues, e cila ka thënë se Këshilli Drejtues e ka përzgjedhur atë si kandidat për drejtor teatri, por ka ndërhyrë kryetari i komunës, z. Haziri, në kreun e Këshillit Drejtues, i cili ka detyruar anulimin e konkursit publik, përkatësisht, të rezultatit! Është e panjohur në një vend ku sundon ligji që një kryetar komune të anulon rezultate të konkursit të rregullt vetëm se nuk ka fituar i preferuari i tij! Kush jep përgjegjësi për zvarritjen e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të teatrit? Kush jep përgjegjësi për anulimin e rezultateve të rregullta të dala nga konkursi publik? Si paska mundësi se në bazë të tekeve të një kryetari të komunës, të bëhet çfarë të dëshiron ai ose ajo?! Janë pyetje të panumërta që dalin nga ky proces i parregullt, po aq edhe shkelje të papranueshme. Është një nen që po ashtu është kundërthënës i Ligjit për teatrot, që do ta komplikonte situatën e padisë vetëm në këtë rast: “Këshilli drejtues merr vendime me shumicë absolute të votave të të gjithë anëtarëve.” Kjo do të mund të përkthehet nga kryetari se vetëm një anëtar nëse do të ishte kundër, atëherë do të anulohej konkursi. Prandaj, ky ligj definitivisht duhet të ndryshohet sa më parë me aq shumë kundërthënie! Ose për procesin e intervistimit të drejtorëve për teatro, të kishte udhëzime administrative, ose rregullore të veçantë, për të treguar detajet e kritereve për poentim dhe si merret vendimi final se kush do të jetë kandidat fitues për drejtor teatri pas intervistimit! Pavarësisht kësaj, krejt përfundimi është se faktet janë kokëforta se, kryetari Haziri ka ndërhyrë politikisht në këtë rast dhe ka anuluar padrejtësisht konkursin publik për drejtor teatri, vetëm se Këshilli Drejtues nuk ka përzgjedhur kandidatin e tij të preferuar partiak! Teatri i qytetit vazhdon me vite të jetë pa drejtor të rregulltë teatri, pa udhëheqës artistik, me mungesë financash qoftë edhe për punonjësit teknikë, etj.
Botuar në gazetën Kosova Sot, 3 shtator 2016