/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka marrë sot (e enjte), vendim për anulimin e konkursit për drejtor të Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Këtë vendim kryetari Haziri thuhet ta ketë marrë pas shqyrtimit të rekomandimit të Këshillit drejtues të Teatrit.
Sipas vendimit në fjalë, anulimi i konkursit për drejtor të Teatrit, bëhet për shkak se paneli intervistues nuk ka arritur konsensus sa i përket pikëve të nevojshme për emërimin e drejtorit. Ndryshe, anulimin e konkursit për drejtor të teatrit e ka konfirmuar për Portalin 2L ONLINE, Kujtim Shahiqi nga Njësia për Kulturë e komunës së Gjilanit. Ai ka bërë me dije se informacionet e mëhershme për anulim konkursi kanë qenë të pasakta sepse anulimi i konkursit është bërë tek sot nga kreu i komunës, pas rekomandimit të Këshillit Drejtues të Teatrit, që ka mbajtur takimin e saj më 31 gusht e ku ka shqyrtuar edhe këtë çështje.
Shahiqi ka bërë me dije se rekomandimi i Këshillit Drejtues të Teatrit, për anulim konkursi, nuk është nënshkruar vetëm nga një anëtar i saj, Adriana Matoshi, ndërsa të tjerët e kanë nënshkruar: e që janë Sabedin Shahiqi, kryetar, dhe anëtarët Mejreme Berisha, Shpresa Kurteshi e Avni Behluli.
Përndryshe në arsyetimin e Këshillit Drejtues të teatrit thuhet: “Për shkak të presioneve mediatike që janë bërë në mediumet e shkruara dhe elektronike ndaj Këshillit Drejtues për përzgjedhjen e drejtorit të teatrit nga vet anëtarët e Këshillit drejtues, në ktë rast Adriana Matoshi, dhe kandidati për drejtor Erson Zymberi, duke ndikuar drejtpërdrejt në autonominë e këtij organi, që në mënyrë të pavarur të përzgjedhin drejtorin e teatrit , me datën 29.08.2016, është bërë rekomandimi – kërkesë deri te zyra e kryetarit për anulimin e konkursit. Rekomandimi është aprovuar nga zyra e kryetarit duke vlerësuar presionin mediatik ndaj anëtarëve të tjerë të këtij Këshilli. Për të eliminuar parregullsitë e mundshme dhe krijimin e grupacioneve , brenda këshillit, është parë e arsyeshme që ky Konkurs të anulohet dhe të shpallet konkursi i ri”. /2L ONLINE/