/2L ONLINE/ – Kishin synuar ta organizojnë për herë të katërtë, siç thonë, garën tradicionale ndërkombëtare “Enduro Championship 2015” në Stanishor. Ishte caktuar data 25 tetor, e sipas organizatorit pjesëmarrjen e kishin konfirmuar madje edhe garues nga Zvicra, Gjermania, Maqedonia Kroacia e Shqipëria.
Por, organizatori, Moto Cross klub 06 nga Gjilani, me keqardhje ka konfirmuar për Portalin 2L ONLINE, se sot kanë vendosur me heq dorë e me e anulua garën në mungesës së ndihmës financiare, pasi komuna e Gjilanit nuk ka treguar aspak interes për me e mbështetë këtë garë.
Në një njoftim të tyre, organizatori ka lajmëruar MotoCross-istët (garuesit) se gara e paraparë po anulohet sepse Komuna e Gjilani, Zyra e kryetarit, përkatësisht Njësia për Sport nuk e kanë parë të arsyeshme të mbështesin këtë garë, të katërtën me radhë, “Enduro Championship 2015”, ndonëse është njëra nderë garat më të mëdha dhe më masovike në Kosovë. Organizatori ka rikujtuar se herën e kaluar ishin pjesëmarrës afër 100 garues.
“Në pamundësi financiare të klubit për ta organizuar garën dhe pa përkrahje të institucioneve jemi të detyruar ta anulojmë garën me shpresën se vitin e ardhshëm do të organizojmë garën gjithsesi edhe po që se do të mbesim pa mbështetje të institucioneve, të Njësisë së Sportit”, thuhet në njoftimin e organizatorit.
Përndryshe, garat ishin paraparë të zhvilloheshin në tri kategori E1 125 cc 2t – 250 4t, E2 250 cc 2t – 450 4t, E3 Kategori Hoby – nën 18-vjet dhe mbi 35- vjet. /2L ONLINE/